Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) kërkon nga Qeveria e Kosovës që me urgjencë të propozojë ndryshim plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.
Në një komunikatë për media, OAK konsideron se praktikat e deritanishme që ditët e festave që bien në ditë vikendi, të zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, përkatësisht Neni 4 i Ligjit për Festat Zyrtare, sipas të cilit “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”, kanë dëmtuar dhe po e dëmtojnë vendin në aspektin financiar dhe ndërkombëtar.
OAK gjithashtu kërkon që të festohen por të mos jenë ditë pushimi, ditët: 9 Prilli, Dita e Kushtetutës dhe 9 Maji, Dita e Evropës.
OAK kërkon gjithashtu që festat e komuniteteve të jenë ditë pushimi për këto kategori, por jo edhe për të gjithë vendin.