Numër i madh i armëve ilegale në Kosovë, ekspertët kërkojnë aksione për grumbullim
Lexohet për: 6 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Policia e Kosovës që nga janari e deri tash kanë konfiskuar mbi 1200 armë pa leje, numër ky i cili ka shënuar rritje krahasuar me periudhën e njejtë të vitit paraprak. Megjithatë, ekspertët e sektorit të sigurisë thonë se numri i madh i armëve po rritet nga viti në vit.

Armët ilegale vazhdojnë të mbesin shqetësim për qytetarët dhe institucionet në Kosovë. Policia deri tani është angazhuar në disa aksione, kryesisht nëpër shkolla, ku edhe ka konfiskuar qindra armë. Megjithatë, mendohet se më së shumti armë ka në veriun e Kosovë, ku institucionet e sigurisë vendore e ndërkombëtare, asnjëherë nuk kanë ndërmarrë ndonjë aksion.

Njohësit e sigurisë fajësojnë institucionet përgjegjëse për mosrespektimin e ligjit ndaj personave që iu konfiskohen armët pa leje, derisa kërkojnë aksione për grumbullimin e armëve pa leje.

Bedri Elezi, njohës i sigurisë është shprehur i shqetësuar me rritjen e numrit të armëve pa leje. Sipas tij, ka pas raste kur njerëzit janë privuar nga jeta nga përdorimi i armëve pa leje, por ndëshkimi nga institucionet përgjegjëse nuk ka qenë i drejtë.

“Në dorën e qytetarëve të Kosovës ka një numër të konsiderueshëm të armëve pa leje. Është një shqetësim që në vazhdimësi e kemi ngritur duke referuar se arma pa leje konsiderohet edhe e rrezikshme, ngase personat të cilët posedojnë armë pa leje fillimisht janë jo të përgatitur për njohuritë mbi pasojat që mund t’i ketë një armë dhe atë armë në çdo moment mund të përdoren apo keqpërdoren nga persona për të kryer vepra të ndryshme siç janë edhe vrasjet. Këtë shqetësim të posedimit të numrit të madh të armëve kemi parë që nga viti në vit është duke u rritur, me siguri kjo po ndodh për shkak të një veprimi jo adekuat i institucioneve të zbatimit të ligjit në këtë çështje. Ka pas raste ku njerëzit janë privuar nga jeta pikërisht nga përdorimi i armëve por që në fakt ndëshkimet kanë qenë mjaftë të buta dhe në një formë gjithë personat të cilët mendojnë që të kenë një armë pa leje e marrin në konsideratë se çfarë do t’i pret nëse do të has Policia e Kosovës apo ndonjë institucion tjetër në një veturë apo në një person që ka armën pa leje”, theksoi Elezi.

Nuredin Ibishi, njohës i sigurisë dhe njëherit anëtar i grupit të punës për ligjin e ri për armët, tha për KosovaPress, se në ligjin e ri për armët do të parashihen disa ndryshime që janë konform dispozitave ligjore me anë të BE-së.

“23 vite pas luftës është e papranueshme që ende të kem armë në posedim ilegal, derisa janë mundësitë pasi kemi ligjin për armë, kemi shpallë disa herë anën e legalizimin e armëve, tash jemi në procedurë edhe të hartimit të ligjit të ri që do të jetë konform dispozitave ligjore të BE-së dhe kjo tregon që ne në aspektin ligjor kem pas mundësi por edhe legalizimit në ato që kanë qenë pa leje për mbajtje, qoftë për armë gjuetie, armë trofe apo edhe armë tjera, nuk e kanë legalizuar me kohë. Dhe mendoj se pas miratimit të ligjit edhe njëherë do të shpallet një ligj për legalizim të armëve dhe aty duhet të jepen mundësitë më të mira, gjegjësisht disa mundësi qoftë mi heq taksat që në një formë janë renduar, ose edhe këta që bëjnë legalizimin e armëve të privilegjohen më tepër në këtë dorëzim të armëve apo ato që nuk janë të kategorizuara për armë personale, ndërsa ato që jepen të lehtësohen në procedurat edhe në pagesat për dhënie të provimeve por edhe në çështje tjera që ka të bëjë me taksat që realisht janë renduese”, tha Ibishi.

Sipas tij, institucionet nuk po zbatojnë ligjin për personat që i konfiskohet arma pa lej. Ai tha se denimet nuk jepen ashtu siç përshkruhet me ligj.

“Ligji i përcakton saktë veprimet, mirëpo asnjëherë nuk miratohet në praktike ashti siç përshkruhet, çdo herë kërkohet ndonjë rrethanë lehtësuese dhe realisht Policia e kryen detyrën, bënë konfiskimin e armëve, municionit qoftë posedim ilegal por edhe në rastet kur keqpërdorët, por fatkeqësisht nuk po janë dënimet ashtu si përshkruhet me ligj. Në shumë raste të mos përfilljes së ligjit në përpikëri po ka pasoja të renda edhe për jetën e njerëzve, për arsyeje nga këto armë vinë nga plagosjet dhe vrasjet... Në shumicën e rasteve, në për qindje është e konstatuar deri tash që zakonisht plagosjet dhe vrasjet janë si pasojë e përdorimit të armëve ilegale”, shtoi Ibishi.

Më tej, njohësi i sigurisë, Bedri Elezi ka renditur për KosovaPress, disa faktor se si duhet të parandalohet kjo dukuri, derisa ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse të realizojnë aksione për grumbullimin e armëve pa leje.

“Fillimisht ne duhet të organizojmë më shumë fushata për pasojat e përdorimit të armëve për personat  të cilët nuk kanë përgatitjet e nevojshme për armën, të informohen për rrezikun që mund të ketë shoqëria, vet personi apo familja ku arma ndodhet dhe se Republika e Kosovës e ka të rregulluar çështjen e posedimit të lejes për armë e sidomos për aktivitetet sportive dhe nuk ka nevojë që qytetarët e Republikës së Kosovës të mbajnë armë pa leje kur nëse ata janë të interesuar për çështje sportive ose aktivitete tjera apo kanë edhe çështjen e rrezikshmërisë. Po ashtu të zbatohet edhe ligji te personat të cilët nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë. Institucionet e Republikës së Kosovës do të ishte mirë që të kenë aktivitete, aksione për grumbullimin e armëve pa leje dhe në këtë aksion t’i ofrohet një lloj lehtësire në çështjen e ndjekjes penale për personat të cilët posedojnë në rast se ato janë të gatshëm t’i dorëzojnë gjitha armët pa leje”, tha ai.

Përndryshe, nga janari deri në nëntor të vitit të kaluar numri i armëve të konfiskuara pa leje është 1087, ndërkaq monicion të konfiskuar janë 23 mijë e 574.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024