NJSI sot proteston para Qeverisë
Njësiti Special Intervenues (NJSI) dhe Sindikata e Policisë së Kosovës sot do të mbajnë një protestë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke filluar nga ora 12:00.
Sindikata e Policisë së Kosovës ka konfirmuar se gjatë protestës do të bëhen të ditura edhe kërkesat e tyre.
Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës më 1 nëntor, duke kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.
Një tjetër protestë u paralajmërua për datën 7 nëntor 2023, por policia e pezulloi atë përkohësisht, pasi kryeministri Albin Kurti u premtoi atyre takim zyrtar për t’i diskutuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur një zgjidhje.
Përfaqësuesit e NJSI u takuan me Kurtin në mes të nëntorit, por nuk arritën marrëveshje për shkak se kreu i ekzekutivit nuk pranoi të tërhiqet nga pozicioni i tij në raport me kërkesat e tyre.
Sipas propozimit të Qeverisë, shtesat për NJSI-në janë rreth 150 euro, ndërsa në kërkesë policët kanë thënë se ajo duhet të caktohet në vlerë prej 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.