Në njëvjetorin e sulmit të serbëve të rebeluar ndaj KFOR-it në veri, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka publikuar pamjet e hyrjes së ndërtesës së Komunës së Zveçanit më 29 maj 2023 dhe pamjet të njëjtës ndërtesë një vit më vonë.
Sveçla në një postim në rrjetin X ka thënë se shumëçka ka ndryshuar në veri të Kosovës, por duhet treguar vigjilentë ndaj paqes dhe sigurisë.
Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka identifikuar shumë dhe ka arrestuar dhjetëra autorë të sulmeve në veri për të cilët tha se duhet të mbajnë përgjegjësi. Ndërkaq ka uruar familjet e të të gjithë ushtarëve të lënduar të KFOR-it dhe shprehu mirënjohje për shërbimin e tyre.
Ndryshe, mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it janë plagosur një vit më parë në Zveçan gjatë protestave të serbëve në kundërshtim të marrjes së detyrave të kryetarëve të zgjedhur shqiptarë në katër komunat në veri.