Shtrenjtimi i derivateve nuk ka të ndalur këto ditë në vendin tonë. Sot (e shtunë) në tregun e Kosovës një litër naftë ka arrit deri në 1.50 euro.
Ndërkaq, vendimi i fundit i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës duket se "nuk po ia lë shenjë" për uljen e çmimeve, raporton KosovaPress.Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka treguar për KosovaPress se këto ditë ka ngritje të çmimeve për karburantet.
“Sot, çmimet ne tregun kosovar përafërsisht sillen: dizelli 1.42 cent deri në 1.50 euro dhe benzina 1.42 deri 1.48 euro”, thekson Berjani për KosovaPress.
“Çmimi për standardin tonë është i lartë, çmim real kishte me qenë 1 euro për litër, por kjo nuk varet nga ne pasi që çmimin e përcakton berza dhe organizata prodhuese OPEC”, tha ai.
Berjani bëri edhe një krahasim të çmimeve të derivateve me Shqipërinë. Ai tha se çmimet sot (e shtunë) në Shqipëri janë: dizelli 1.85 euro për litër, dhe benzina 2.20 euro për litër.