Në Burgun e Sigurisë së Lartë në Podujevë, mbrëmë në ora 22:33, i burgosuri me inicialet E.G është gjetur i varur në dhomën e tij.
Vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor dhe i emergjencës së Podujevës, ndërkohë në vend të ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, e me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve njoftojnë opinionin publik se sot, rreth orës 22:00, në Burgun e Sigurisë së Lartë, i burgosuri me inicialet E.G është gjetur i varur në dhomën e tij, me puls të dobësuar. Menjëherë ka reaguar stafi korrektues, ekipi mjekësor i institucionit si dhe emergjenca e qytetit. Pavarësisht përpjekjeve për ofrimin e ndihmës mjekësore, i burgosuri nuk ka arritur të rikthehet në jetë. I ndjeri ishte i dënuar për dy vepra penale të dhunimit. Ai ishte pranuar në institucion më 15.08.2024, ndërsa lirimi i tij ishte paraparë më 01.03.2048”, thuhet në njoftim.
Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve kanë iniciuar procedurat hetimore dhe administrative për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit. /A.Shala/