Në vitin 2022, një e treta e popullsisë së botës, 2.7 miliardë njerëz, ende nuk kanë qasje në internet dhe edhe nëse kostoja e shërbimeve të internetit është ulur globalisht, më të varfrit në botë mbeten të privuar nga mundësitë që ofron kjo teknologji.
Kështu thuhet në një raport të publikuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), agjencia e Kombeve të Bashkuara për teknologjitë e informacionit dhe komunikimit. "Qasja në internet po rritet, por jo aq shpejt dhe në mënyrë uniforme në të gjithë botën sa duhet të jetë," tha Doreen Bogdan-Martin, drejtore e ITU.
Sipas raportit, interneti është bërë më i përballueshëm në të gjitha rajonet e botës dhe për të gjitha grupet e popullsisë, pavarësisht nga niveli i të ardhurave.
Megjithatë, kostoja e tij mbetet një pengesë kryesore, veçanërisht në ekonomitë me të ardhura të ulëta.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ka ende një pabarazi serioze gjinore në qasjen në internet. Edhe pse gratë përbëjnë gati gjysmën e popullsisë së botës, 259 milionë gra më pak kanë qasje në internet sesa burrat. Vetëm 63% e femrave përdorin internetin në vitin 2022, krahasuar me 69% të meshkujve, sipas raportit. Hendeku gjinor është edhe më shqetësues në vendet me të ardhura të ulëta, ku 21% e grave janë të lidhura./ANSA