Një anije e ushtrisë amerikane e ngarkuar me pajisje për ndërtimin e një porti të përkohshëm në Gazë po lundron sot drejt Mesdheut, tre ditë pasi Presidenti i Sheteve të Bashkuara Joe Biden njoftoi planet për të rritur dërgesat e ndihmave përmes rrugëve detare në rajonin ku qindra mijëra palestinezë po përballen me uri.
Hapja e korridorit detar, së bashku me lëshimin e ndihmave nga ajri nga Shtetet e Bashkuara, Jordania dhe vende të tjera, dëshmoi shqetësimin në rritje mbi krizën humanitare në Gazë dhe gatishmërinë për të shmangur kontrollet e Izraelit për dërgesa në rrugë tokësore.
Për shkak të kufizimeve izraelite dhe çështjeve të sigurisë, numri i kamionëve me ndihma që hyjnë në Gazë, në bazë ditore përmes rrugëve tokësore, gjatë pesë muajve të fundit ka qenë shumë më i ulët se afro 500 të tillë që hynin para fillimit të luftës.
Ndërkohë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden shtoi kritikat e tij publike ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Zoti Biden tha se beson se zoti Netanyahu "më shumë po e dëmton sesa po e ndihmon Izraelin" me qasjen që po mban në luftën kundër Hamasit në Gazë, ndërsa shënohen 6 muaj nga nisja e konfliktit.
Në Gazë, numri i viktimave palestineze vazhdon të rritet.
Departamenti i Mbrotjes Civile tha se të paktën 9 palestinezë, përfshirë fëmijë, u vranë si pasojë e sulmeve ajrore në një shtëpi në qytetin e Gazës, të shtunën vonë.
Të afërmit e tyre thanë se të 13 u vranë nga goditjet izraelite ndaj një tende të madhe strehimi për palestinezët e zhvendosur në qytetin Khan Younis.
Lufta në Gazë nisi pas sulmit të Hamasit në 7 tetor ndaj Izraelit, ku sipas autoriteteve izraelite u vranë 1200 persona dhe u morën 250 pengje.
Shtetet e Bashkuara dhe ndërmjetësuesit rajonalë, Egjipti dhe Katari kishin shpresa për arritjen e një armëpushimi 6-javor, para nisjes së Ramazanit, sot, por bisedimet duket se kanë ngecur, pasi Hamasi nuk pranoi të jepte siguri se një marrëveshje e mundshme armëpushimi do të çonte në dhënien fund të konfliktit.
Ndërmjetësuesit shpresonin të lehtësonin një pjesë të krizës përmes marrëveshjes për një armëpushim të përkohshëm, e cila parashikonte që Hamasi të lironte disa nga pengjet izraelite, Izraeli të lironte disa të burgosur palestinezë dhe organizatat humanitare të kishin mundësi për dërgimin e një fluksi më të madh ndihash në Gazë. /voa/