Kanë nisur nga sot punimet për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.
Ky projekt synon avancimin e mëtejmë të sportit të xhudos dhe krijimin e kushteve moderne për sportistët kosovarë. Njëkohësisht, shihet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare të sportit, duke ndërtuar mbi sukseset e deritanishme olimpike dhe botërore.
Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, tha se ky projekt do të hap mundësi të reja për të gjithë sportistët të cilët merren me xhudo dhe synojnë suksess elitare në Evropë dhe Botë.
"Para plot 30 vitesh, pak metra nga këtu, ka qenë babai im që ka vendosur një gurthemel. E ai ka qenë gurthemeri i mbijetesës. Po, ka qenë mbijetesa e sportit fisnik të xhudos pas uzurpimit të palestrave publike nga okupuesi serb. Dhe pas çlirimit, në po atë vend vazhdoi puna e madhe e sakrifica për përfaqësimin e shtetit tonë gjithandej botës, deri në arritjet kulminante që deri tani numërojnë pesë medalje olimpike, dhjetëra evropiane e botërore, e qindra të tjera ndërkombëtare. Përveç që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i sportit u njoftua me potencialin e një shteti të ri, po ashtu u ngrit edhe kurioziteti se çfarë qëndron pas kësaj. Dhe kjo kuriozitet u shua në vitin 2021, ku shkëlqeu emri i vëllait tonë, Driton Toni Kukës, si trajneri më i mirë në Evropë dhe botë, i shpallur nga Federata Evropiane dhe ajo Botërore. E ky gurthemel po vendoset për mundësi më të mëdha, si në zhvillimin e sportit, po ashtu edhe në promovimin e vendit tonë përmes organizimit të aktiviteteve trajnuese e garuese ndërkombëtare. Njëra nga ato do të jetë edhe organizimi i garës prestigjioze të Lojërave Mesdhetare në sportin e xhudos dhe sportin e karatesë", theksoi Kuka.
"Kjo qendër ku ndodhemi aktualisht është përuruar në shtator të vitit 2021. Një pjesë e rrugës drejt medaljeve olimpike në 'Paris 2024' është shtruar pikërisht këtu. Pjesa tjetër është bërë në kushte më të vështira, por me punë dhe përkushtim, kjo ekip e jashtëzakonshme e xhudos ka sjellë medalje të arta olimpike nga Rio dhe Tokio. Me angazhimin e pandalshëm të Federatës së Xhudos për ta ngritur Kosovën edhe më lart, në kuadër të programit 'Kosova shtet i xhudos', sot po nisim këtë investim të ri. Ky projekt përfshin:Palestër të re të xhudos me standarde ndërkombëtare, objekt multifunksional që përfshin akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant. Projekti do të krijojë kushtet që xhudoja e Kosovës të vazhdojë punën përpara, të forcojë rolin e saj si qendër stërvitore në Evropë dhe njëkohësisht të kontribuojë në zgjerimin dhe ngritjen e sportit, turizmit dhe ekonomisë në vendin tonë. Pikërisht këtu, në hapësirat e palestrës së re të xhudos, do të zhvillohen edhe garat e sporteve luftarake në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030", bëri të ditur Kurti.
Nga ana tjetër, trajneri më i mirë i xhudos në botë, Driton Kuka e cilësoi këtë moment si kulmin e një pune të gjatë dhe të përbashkët.
“E kemi pasur palestrën në një shkollë fillore ku kem stërvitur të gjitha klubet sportive në qytetin e Pejës dhe faktikisht mua më është dukur hapësirë shumë e vogël koha për të arritur diçka dhe gjithmonë e kam pasur në kokë që të fillojmë diçka, të kemi palestër 24 orë në ditë. Edhe pse ajo ka qenë palestër modeste por koha ka qenë e artë, koha ka qenë ajo që mua më është dashur si trajner që të ndërtojë ato që janë ndërtuar sot. Kështu që përgjegjësi dhe përkushtim kërkoj nga të gjithë këta sportistë, trajnerë e komunitet i xhudos, shteti tani po investon shumë seriozisht në ju dhe ju duhet t’ia ktheni me punë e përkushtim, rezultate e medalje”, tha Kuka.
Kjo qendër nacionale u tha se do të shërbejë shumë edhe për xhudistët dhe karateistët të cilët do të garojnë për Kosovën edhe në Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030".