Nga sot e deri më 20 mars do të mbahet edicioni i 22-të i Javës së Frankofonisë, e cila mbahet nën përkujdesjen e Ambasadës së Francës dhe partnerëve të saj.
Në hapje të kësaj Jave, Marie-Christine Butel, ambasadore e Francës në Kosovë, tha se nga viti i kaluar Java e frankofonisë quhet "Atmosferë", pasi sipas saj kjo i jep kuptim këtij projekti.
Thomas Kelly, ambasador i Zvicrës në Kosovë, tha se gjatë kësaj Jave do të mbretërojë atmosfera festive dhe teatrale.
"Zvicra merr pjesë në programin e frankofonisë, e cila ndan vlerat për të jetuar së bashku, dhe përshëndes vendimin e Kosovës për të promovuar demokracinë dhe paqen. Dëshiroj të uroj Kosovën në lëvizjen olimpike. Kjo i mundëson Kosovës dhe sportistëve të saj të mbrojnë ngjyrat e shtetit në garat ndërkombëtare. Më 15 mars në Prizren do të shihni muzeun historik të Lozanës," tha ai.
"Jam i lumtur që jam prezent në njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme për artin dhe kulturën në Kosovë. Në kuptimin e zhvillimit kulturor ky është një vit shumë i rëndësishëm për Kosovën", tha Çeku.
Aktivitetet me rastin e Javës së Frankofonisë në Kosovë, mbahen në partneritet me Grupin e ambasadave frankofone në Kosovë, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Arsimit, atë të Kulturës, Aleancën Franceze të Prishtinës, dhe partnerë të tjerë nga Kosova dhe Franca.