Në Kosovë ka nisur edicioni i 22-të i Ditës dhe Javës Olimpike që zgjatë nga 13 deri më 17 qershor.
Organizimi i këtij manifestimi bëhet nga Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme sportive në të gjitha komunat e Kosovës.
“Edhe këtë herë në kuadër të javës olimpike do të organizojmë aktivitete të shumta. Aktivitetet kanë nisur dje me vizitat në institucionet parashkollore të cilat janë njoftuar për vijat olimpike. Sot nga ora 11:00 e kemi aktivitetin e Komitetit Paraolimpik të Kosovës të cilin në sheshin “Zahir Pajaziti” do ta organizojmë aktivitetin me sportin e ping-pongut dhe shahut. Të mërkurën është turneu i futbollit të madh që mbahet në stadiumin e Rilindjes në Tokbahçe të Prishtinës. Të enjten kolegji AAB me të cilin kemi bashkëpunim të mirë organizon hiking në Liqenin e Jazhincës ndërsa në mbrëmje, në të njëjtën ditë, Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit pranë Univerzitetit të Prishtinës inauguron fushat sportive me ç’rast do të aktivitete të ndryshme. Ngjarja kryesore e kësaj jave padyshim është e premtja ku do të shënohet edhe Dita Olimpike”, tha Krasniqi.
Kurse, Sekretari i Përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, theksoi se përmes këtij organizimi, po synohet rritja e kapaciteteve dhe burimeve njerëzore si dhe zhvillimi i karrierës së sportistëve të rinj.
Këto aktivitete do të zhvillohen në 26 komuna ndërsa manifestimi qendror do të mbahet më 17 qershor në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë.