Nika mohon vrasjen e argjentinases, prokuroria paraqet prova nga hoteli
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Nika mohon vrasjen e argjentinases, prokuroria paraqet prova nga hoteli
djali foto
03/02/2026 - 18:21
Linku u kopjua

Në Gjykatën Themelore ne Prishtinë, është mbajtur sot seanca e radhës gjyqësore ndaj Endrit Nikës, i akuzuari për vrasjen e argjentinases Maria Clara në Fushë Kosove.

Gjatë seancës prokuroria ka paraqitur fotografi nga dhoma e hotelit ku kishin qëndruar, duke theksuar se nga pamjet shihej një ambient i çrregulluar  dhe elemente të thyera.

Prokurori Armend Hamiti, duke u bazuar në fotografi, tha se dhoma shfaqej me njolla dhe dëmtime, teksa e pyeti Nikën se si kishin ndodhur thyerjet dhe zhvendosjet e objekteve.

“Shihet qartë se dhoma është e çrregulluar me gjëra të zhvendosura edhe elemente të thyera. Duke parë këto pamje, qysh kanë ndodhur ato thyerje, ato zhvendosje në dhomë. Qysh kanë ndodhur këto, në momentin kur ia ke kapur duart apo?”, pyeti prokurori.

Nika u përgjigj se ka mundur te ndodhë teksa ishte në gjumë, teksa duke thënë se nuk kanë ndodhur nga ana e tij.

“Kanë ndodhur kur ka fjetur ose më parë, sepse ne kemi qenë në hotel dhe nuk e kemi rregulluar. Ato thyerje që shihen aty të gjësendeve nga ana ime nuk kanë ndodhur”, tha Nika.

I pyetur nëse një xham statik mund të bie pa forcë, i akuzuari u përgjigj se as me veprim nuk guxon të bie “As me veprim as pa veprim nuk guxon me ra”.

 Gjatë marrjes në pyetje, prokurori kishte kërkuar sqarime për raportet mes të akuzuarit dhe viktimës para ngjarjes. Ai e pyeti nëse kishte pasur xhelozi apo mosmarrëveshje gjatë ahengut para dasmës apo në veturë.

Nika u përgjigj se e ka vërejtur ne veturë kur është kthyer tek hoteli.

“Unë e kam diktuar vetëm në kerr kur është kthyer në hotel, se tërë kohën nuk kam pasur kohë të merrem me të”.

Prokurori e pyeti edhe nëse kjo xhelozi ishte shfaqur më herët në Zvicër, ndërsa i akuzuari tha se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

Tutje, Hamiti e pyeti nëse kishte tentuar ta qetësonte viktimën gjatë përplasjes.

“Aty jam munduar që fillimisht ta qetësoj me fjalë dhe, kur ka filluar që të më qëllojë me duar, e kam afruar afër vetes dhe e kam ulur në tokë, jemi ulur të dy në tokë. Jemi ulur para krevatit të dhomës”, tha ai.

I pyetur nëse kishte pasur dhunë fizike mes tyre, Nika deklaroi se pasi që ishin ngritur në këmbë ka filluar ta godas me duar.

“Në ato momente jo, pastaj kur jemi ngritur që të dy që ishim ulur aty, ja nisi me goditur me duar. Ia kam kthyer shpinën edhe kam prit deri sa të ndalet”.

Ai shtoi se ishte nisur drejt derës për t’u larguar nga hoteli.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari Endrit Nika, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me viktimën, me dashje për ta privuar nga jeta, kishte nxjerrë kornizën e dritares dhe e kishte hedhur atë nga dritarja e dhomës së hotelit, nga kati i gjashtë.

Si pasojë, viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, pavarësisht trajtimit mjekësor, kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Prokuroria vazhdon të mbrojë qëndrimin se Endrit Nika e ka hedhur viktimën nga kati i gjashtë i hotelit, duke e cilësuar rastin si vrasje të kryer me dashje.

Gjatë seancës se Nika ka lexuar edhe një letër drejtuar prindërve të Maria Clares, të dashurës së tij, per të ciln akuzohet Nika ta ketë shtyer nga dritarja e një hoteli në Fushë Kosovë.

Nika drejtuar prindërve të saj u shpreh se edhe pse e fajsojnë, shpreson që ta besojnë, pask që edhe ai humbi një person të shtrenjtë për të.

“Së pari dua të ju drejtohem prindërve të Klarës me do fjalë, me thyhet zemra që jam para jush jo si personi që e dashuroj ciken e juaj por mes kësaj tragjedi të rënd me krejt shpirti ju shpreh ngushëllimet e mia me të thella. E di që më shihni ndryshe dhe më fajësoni, por ju lutem të më besoni se edhe unë e humba një gjë më të shtrenjtë që kam pasur në jetë. Dhimbja është e njëjta. Ju uroj shumë forcë dhe unë si ju dëshiroj vetëm drejtësi për Klarën”, tha ai.

Seanca e radhës do të jetë me 16 shkurt ku pritet fjala përfundimtare. /A.Shala/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026