Fëmijët iu kanë bërë thirrje institucioneve për të trajtuar krizën klimatike, duke qenë se një fenomen i tillë cenon të drejtat e tyre për një jetë më të shëndetshme dhe një të ardhme më të mirë.
Kështu u tha në hapjen e ekspozitës së Artit të Ricikluar në Ditën Botërore të Fëmijëve, ku pjesëmarrësit zhvilluan një diskutim joformal, i cili është udhëhequr dhe moderuar nga fëmijët, të cilët kanë ngritur shqetësimet e tyre në lidhje me ambientin, krizën klimatike, arsimin dhe sigurinë e fëmijëve.
Drejtori ekzekutiv i “Save The Children”, Ahmet Kryeziu tha se sotështë një ditë e veçantë për arsye se themeluesja e tyre, Englantin Jamp në vitin 1923 e ka shkruar deklaratën e parë mbi të drejtat e fëmiut.
“Ajo deklaratë ka qenë bazë për hartimin e konventës për mbrojtjen e të drejtave të fëmiut që në vitin 1989 është aprovuar nga Kombet e Bashkuara. Pra është një dokument që parasheh të drejtat universale të fëmijëve dhe punën që ne si organizatë e bëjmë bazohet apo konventa, është platformë e gjithë asaj që bëjmë ne”, tha ai.
“Në Kosovë mendoj që ka progres dhe arritje në implementimin e konventës, mirëpo mbesin ende shumë sfida që do të dëshironim që politikbërësit, shoqëria civile dhe të gjithë ne të angazhohemi më shumë në përmirësimin apo ndryshimin e jetërave të fëmijëve dhe për këtë arsye ne mendojmë që më shumë të investohet në gjithpërfshirjen që zëri i fëmijëve në vendimmarrje dhe në realizmin e të drejtave të fëmijëve në përgjithësi.”, shtoi ai.
Loris Begu, kryetar i komisionit për arsim nga grupi Ror, tha se duhet të merren vendime të menjëhershme në lidhje me të drejtën e fëmijëve për të jetuar në një mjedis të pastër dhe pa rreziqe nga ndryshimet klimatike
Festina Kabashi, kordinatore për avokim dhe fushata tha se mesazhi i kësaj fushate është t’i bëhet thirrje institucioneve për t’i adresuar cështjet e ndryshimeve klimatike.
“Mesazhi i kësaj fushate është që ta ngris vetëdijen edhe tek qytetarët por edhe t’iu bëjë thirrje institucioneve dhe vendimmarrësve që të marrin masa sa më të shpejta për t’i adresua çështjet e ndryshimeve klimatike dhe mjedisit dhe ky aktivitet aktivitet është duke u zhvilluar në kuadër të fushatës globale të “Save dhe Children Generation Hope” e cila po ashtu bënë thirrje institucioneve dhe vendimmarrësve për veprim urgjent për ndryshime klimatike edhe problemet mjedisore.”, tha ajo.
Punimet e ekspozuara janë krijuar nga vetë fëmijët duke ripërdorur letër, plastikë dhe xham.