Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj personave me inicialet E.Sh., Z.K., F.Sh., dhe V.Z., për shkak se kanë kryer veprat penale për posedim dhe shitblerje të substancave narkotike.
Sipas aktakuzës, i pandehuri E.Sh., më 5 gusht 2023 rreth orës 21:40, në Prizren, në lokalin me inicialet “L.B”, pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, dhe, të njëjtën e shpërndan te të tjerët.
Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij në Hoqë e Qytetit, në dhomën e fjetjes është gjetur një peshore digjitale për matjen e substancës narkotike dhe 4.050 euro që dyshohet se janë fituara nga shitja e substancave narkotike.
Me këtë, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Të pandehurit F.Sh., Z.K., dhe V.Z., më 5 gusht 2023 rreth orës 21:40, derisa kanë qenë në cilësinë e konsumatorëve në lokalin “L.B” në Prizren, pa autorizim kanë poseduar narkotikë në atë mënyrë që gjatë kontrollit nga ana e policisë, tek i pandehuri F.Sh. ka gjetur gjysmë joint (cigare e përdorur marihuanë) e dyshuar për lëndë narkotike marihuanë, me peshë prej 0.12 gram.
Tek i pandehuri Z.K., policia ka gjetur katër foli alumini, me sasi të dyshuar narkotikë marihuanë, me peshë neto 1.6 gram dhe një qese plastike me substancë narkotike kokainë, me peshë 0.31 gram.
Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor katër të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.