Ngërçi në dialog, pesimizëm për rezultate
Lexohet për: 2 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në një ngërç të ri, vlerësojnë analistët politikë. Mungesa e gatishmërisë për zbatim të marrëveshjes bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, sipas tyre, është shenjë që dialogu nuk do të ketë progres as gjatë këtij viti, veçmas kur në qershor do të mbahen zgjedhjet e reja në Bashkim Evropian. Në anën tjetër, nga partitë opozitare thonë se Kosova në dialog deri tani ka pasur vetëm regres, derisa kritikojnë ekzekutivin për mungesë të transparencës në këtë proces.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë për KosovaPress, se nuk pret diçka konkrete në dialog gjatë këtij viti, derisa shton se Kosova po kushtëzohet në procesin e saj integrues në BE me dialogun me Serbinë.

Në anën tjetër, analisti politik, Artan Muhaxheri, thotë se Kosovës do t’i shkaktohen më shumë dëme nga çdo bllokadë në dialog.

Sipas tij, e ardhmja e dialogut do të varet nga liderët politikë në Kosovë dhe Serbi, por sipas tij, edhe e ardhmja politike e tyre do të varet nga dialogu.

Ai shtoi se kërkesa e kryeministrit Kurti për ndarje të procesit integrues të Kosovës në Bashkim Evropian nga dialogu, është një kërkesë jorealiste.

Kurti gjatë kësaj jave bëri të ditur se dialogu aktualisht po zhvillohet në rrafshin e diskutimeve të zëvendëskryeministrit, njëherësh kryenegociatorit Besnik Bislimi me përfaqësuesin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak se cilat do të jenë hapat e mëtutjeshëm.

Ai ka thënë se aktualisht nuk ka asnjë ftesë për takim të nivelit të lartë në dialog.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024