Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën nga një muaj paraburgim ndaj 25 të pandehurve A.K, A.SH, A.H, B.L, D.L, F.S, F.GJ, G.A, G.H, G.SH, G.T, H.D, H.P, H.H, I.D, I.D, I.T, K.S, L.H, M.B, R.T, S.M, XH.H, XH.H dhe XH.L., nën dyshimet se kanë kryer veprat penale pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, keqpërdorimi i pozitës, ryshfet, ushtrimi i ndikimit dhe kontrabandimi i mallrave.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Ndryshe, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit dje është zhvilluar aksioni i koduar me emrin “Pika”, me 50 zyrtarë shtetërorë të arrestuar, nga të cilët 48 pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe dy nga Shërbimi Doganor i Kosovës.
Aksioni erdhi pas rreth një viti hetimesh, përkatësisht nga muaji maj i vitit 2021 dhe se në hetim kanë qenë të angazhuar dy prokurorë.
Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit të Policisë, Kushtrim Hodaj, nga ana e tij në konferencë për media, tha po dje se zyrtarët e arrestuar dyshohen për përfshirje në mbi 400 raste të veprave kriminale si marrje e ryshfetit, korrupsion dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.
Operacioni policor i nisur nga mëngjesi i së hënës është përkrahur nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.