Nga një muaj paraburgim ndaj katër të dyshuarve për veprën penale “Fajdeja”
Gjykata Themelore Prishtinë, më saktësisht Departamenti për Krime të Rënda u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji katër të dyshuarve për veprën penale “Fajdeja”.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se personat e dyshuar janë: L.Xh, V.Xh, M.Z dhe M.Xh.
“Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të ikin dhe ti shmangen procedurës penale, do të përsërisin vepra tjera penale të natyrës se njëjtë ose të natyrave më të rënda, po ashtu të pandehurit mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale ose do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar tek njëri tjetri andaj gjyqtari konstatoi se masa e paraburgimit, tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko–penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.