Trajneri i Kosovës Alian Giresse ka folur të hënën në një konferencë për media par dy ndeshjeve miqësore, atë ndaj Burkina Fasos më 24 mars dhe ndaj Zvicrës me 29 mars.
Që në hyrje të konferencës trajneri francez zbuloi se Emir Sahiti është lënduar dhe se është duke shikuar për të gjetur një zëvendësues të tij si dhe informoi se sot me fillim nga ora 18:30 do të zhvillohet stërvitja e parë në “Fadil Vokrri”.
“Po, jam i informuar që në të kaluarën po themi kushtimisht ka ekzistuar një problem në lidhje me lojtarin në fjalë por unë vetëm sa e kam marr timonin e ekipit dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Jo që ka medoemos të bëjë diçka me atë por thjeshtë kam nevojë të njohëm me lojtarët me ekipën kështu që të shohim në të ardhmen, ndoshta edhe do të ftohet.”, ka thënë Giresse.
Tutje Giresse i vlerësoi dy ndeshjet miqësore si shumë të rëndësishme për të parë kapacitetin e skuadrës dhe më pas për të kuptuar se cilat do të jenë objektivat që duhet të vendosen si të mundshme për t’u arritur. Ai shtoi se ftesa e lojtarëve që luajnë në ligat e huaja arsyetohet me faktin se ata janë më të përgatitur dhe se kjo nuk ndodh vetëm në Kosovë por në të gjitha vendet e botës.
Sa i përket formacionit me të cilin mund të paraqitet Kosova në këto dy ndeshje miqësore, Giresse nuk dha informacione me arsyetimin se këtë do ta zbulojë pas seancave stërvitore.
“Skema dhe formacioni i lojtarëve padyshim vatë nga pozitat në të cilat luajnë lojtarët. Ndoshta për shkakun që trajneri vetëm sa e ka marrë timonin e ekipit nuk është se e kemi një formacion definitiv. Këto dy lojërat që i kemi na mundësojnë neve që t’i shohim pozitat e tyre dhe pastaj të krijojmë një formacion”, shtoi Giresse.
“Ta dini që derën nuk ia mbylli askujt. Këtë e kam thënë ndoshta edhe më herët, mirëpo gjithmonë varet nga situata dhe janë probleme të cilat duhet të rregullohen dhe varësisht prej rastit në do të tentojmë që t’i rregullojmë këto probleme që ekzistojnë me lojtarët, por që dera nuk është e mbyllur për askënd”, tha në fund Giresse.
Ndryshe, këto dy ndeshje do të jenë testi i parë për Alian Giressen në krye të Kosovës i cili erdha për ta zëvendësuar ish-trajnerin Bernard Challandes.