Ylli brazilian i Paris Saint-Germain Neymar ka treguar se në vitet e tij të rinisë ishte shumë afër që të luajë për Real Madridin, por vendosi që mos t’i bashkohet gjigandit spanjoll për shkak se dëshironte të qëndronte me familjen e tij.
Neymar shihet si njëri nga lojtarët më të mirë të gjeneratës së tij, ku fillimisht e nisi karrierën në Santos, duke vazhduar më pas te Barcelona, me të cilën edhe fitoi titullin e La Ligas dhe atë të Ligës së Kampionëve, përcjell KosovaPress.“Kur isha 10 vjeçar, Real Madridi më ftoi në prova. Isha tejet i emocionuar, tejet i lumtur, qëndroja duke shikuar stërvitjen e tyre. Ishte gjatë kohës së ‘Galaktikëve’. Më pas, përcjella edhe ndeshjen e tij. Përcjella ndeshjen dhe me sa e kujtoj të gjithë golat u shënuan nga futbollistë brazilianë si Ronaldo, Robinho, Baptista dhe Carlos”, tha Neymar për “Fenomenos Podcast”.
“Qëndrova aty për një javë, për provat. Zgjatën katër nga pesë ditë sa ishte parashikuar. Në ditën e pestë ata më ftuan në një kampionat që po mbahej në Barcelonë, por unë hoqa dorë. Më mungonte familja dhe unë dëshirova që të rikthehem në shtëpi. Çdo gjë ishte gati që unë të luaj për Real Madridin por më pas unë u riktheva në shtëpi”, shtoi ylli brazilian.
Ish-ylli i Barcelonës ka kaluar nëpër një aventurë të vështirë me lëndime të shumta në “Parc des Princes”, por pavarësisht kësaj ka arritur të regjistrojë 91 gola në 132 paraqitje deri tani.