Kandidati republikan për president Donald Trump dhe rivalja e tij demokrate, nënpresidentja aktuale Kamala Harris, janë pothuajse të barabartë në javët e fundit para zgjedhjeve, sipas një sondazhi nga New York Times dhe Kolegji Siena.
Trump prin me një pikë përqindje - 48 për qind me 47 për qind - ndaj Harris, tregoi një sondazh i publikuar sot, një diferencë e ngushtë që mund të nënkuptojë fitore për të dy kandidatët në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Sondazhi tregoi se votuesit mendojnë se duhet të dinë më shumë për Harris, ndërsa opinionet e tyre për Trump janë tashmë të formuara.
Në sondazh, 28 për qind e votuesve të mundshëm thanë se kishin nevojë për më shumë informacion për kandidatin demokrat, ndërsa vetëm 9 për qind thanë të njëjtën gjë për Trump. Sondazhi tregon gjithashtu se debati presidencial që do të zhvillohet të martën mund të përfaqësojë një moment vendimtar.
Shifrat kryesore nga sondazhi i fundit janë të ngjashme me atë të publikuar në fund të korrikut nga New York Times dhe Kolegji Siena, sipas të cilit Trump ishte në epërsi me një për qind. Sondazhet në shtatë shtete kyçe, të cilat ka të ngjarë të përcaktojnë fituesin, gjithashtu tregojnë vazhdimisht diferenca të ngushta.