Gjykata Speciale nesër do të shpallë aktgjykimin e parë që prej kur është themeluar gjashtë vjet më parë. Vendimi do të merret për ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj të cilët po qëndrojnë në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020. Njohës të çështjeve të drejtësisë gjejnë joefikasitet të kjo gjykatë ndërsa drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së presin vendim lirues për bashkëpunëtorët e tyre.
Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Dy ish-krerët e OVL-UÇK-së në fillim të procesit gjyqësor janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Ndërsa aty kishte folur edhe Prokurori i Specializuar, Jack Smith i cili kishte thënë se provat do të dëshmojnë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj vepruan me synim kriminal duke publikuar dokumentet konfidenciale me qëllim të dëmtimit të Dhomave të Specializuara.
Por për bashkëpunëtorët e Gucatit dhe Haradinajt në Prishtinë, ato veprime nuk ishin shkelje por vetëm informim i publikut për disa dosje të cilat kishin arritur në zyrat e organizatës.
“Po të kishte drejtësi, natyrisht që ata do të duhej të shpalleshin të pafajshëm sepse ne konsiderojmë se nuk ka pasur nevojë që të dërgohen në Hagë fare apo të mbahen atje, po bëhen gati 20 muaj, për diçka që si organizatë e veteranëve i kemi paraqitur disa dokumentacione që ju kanë dolën atyre si skandale nga zyrat e tyre, i kemi paraqitur para mediave, dhe kurrfarë shkelje nuk kemi bërë në këtë drejtim sepse edhe ne si qytetarë i kemi të drejtat tona kushtetuese për të shpreh mendimin tonë lirshëm”, thotë Klinaku.
Procedura paraprake në rastin ndaj Gucatit dhe Haradinajt kishte zgjatur një vit ndërsa më 7 tetor të vitit 2021 kishte nisur gjykimi.
“Nesër do ta kemi edhe aktgjykimin e parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës e cila pas gjashtë viteve po arrin të nxjerrë një aktgjykim e kjo mund të përkthehet vetëm në një joefikasitet të kësaj gjykate. Jo efikasitet them për faktin sepse nëse krahasohet me tribunalet e tjera siç ka qenë Tribunali i ish-Jugosllavisë apo tribunalet e Pasluftës së Dytës Botërore, kjo është dukshëm më joefikase. Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi ka arritur që pas një viti të themelimit të saj të ngrit aktakuzat e para kurse pas tetë viteve të përfundojë 32 lëndë duke përfshirë edhe ato që janë kthyer në rigjykim”, thotë Zekaj.
Sipas tij, Gjykata Speciale e ka më të lehtë veprimin e saj meqë është e themeluare prej vet Kuvendit të Kosovës.
Në procesin gjyqësor ndaj Gucatit dhe Haradinajt, ZPS kishte sjellë në sallën e gjyqit katër dëshmitarë të cilët ishin punonjës të këtij institucioni ndërsa nga mbrojtja janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.
Si dëshmitarë të mbrojtjes ishin edhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ish-shefi i operacioneve në Zyrën e Prokurorit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi dhe një eksperte e sinjalizimit.Gjithashtu, mbrojtja e të akuzuarve kishte paraqitur edhe dhjetëra dëshmi me shkrim të dëshmitarëve.
“Çfarëdo vendimi që merret ne si organizatë nuk e kemi njohur dhe as nuk e njohim këtë Gjykatë Speciale për shkak se nuk është gjykatë që do të sjellë drejtësi, është gjykatë politike dhe është gjykatë që është mbi bazën e shpifjeve dhe akuzave të Serbisë pushtuese me ata dëshmitarë të përgatitur që i akuzon pjesëtarët e UÇK-së për një gjë që nuk ka ndodhur, ndërsa konsiderojmë se edhe pse është gjykatë politike ne konsiderojmë që këtu në Kosovë është dashur të ndjekin krimet dhe masakrat që i ka shkaktuar Serbia pushtuese dhe serbët, gjë që drejtësia jonë vendore është duke bërë pak në këtë drejtim. Marrë për bazë që edhe UNMIK-u edhe EULEX-i nuk janë marrë fare me serbët natyrisht që ne nuk mund të pajtohemi me këtë lloj gjykate”, thotë ai.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej ku janë dërguar në paraburgim në Hagë.
Të mërkurën në orën 10:00 në Dhomat e Specializuara në Hagë trupi gjykues në krye me Charles L. Smith, III do të shpallë aktgjykimin ndaj tyre.