“Me dorën time nuk e kam varros, e gjithmonë mendoj se është diku”, janë fjalët e djalit për babin e tij të zhdukur. Ai mban në dorë fotografinë e tij, si ndër të paktat kujtime që i kanë mbetur që nga viti 1998.
Që nga përfundimi i luftës, shumë dyer, të shumë familjeve në Kosovë vazhdojnë të qëndrojnë të hapura se një ditë të paktën do të dinë se ku i kanë eshtrat e më të dashurve të tyre.
Anash fotografive bardhë e zi, janë të shoqëruara edhe thëniet e familjarëve që janë në kërkim të më të dashurve të tyre.
Koordinatorja e programit, Adelinë Syla në intervistën për KosovaPress tregon se kjo ekspozitë është realizuar në shumë komuna.
Fotografitë që do të shfaqen nesër në ekspozitë do të jenë bardhë e zi, gjë e cila tregon se sa e gjatë është pritja për familjarët.
“Vizitat nuk kanë qenë të lehta për shkak se edhe ne si Kryq i Kuq i Kosovës, pavarësisht se kemi pasur aktivitete të shumta me familjarët e personave të zhdukur, është e vështirë në momentin kur i viziton t’iu rikthehet atyre dhimbja ndër vite... Përzgjedhjen e kemi bërë përmes degëve tona, jemi munduar që të përfshijmë sa më shumë familjarë. Nuk kemi pasur mundësi t’i marrim të gjithë për shkak të numrit të madh. 35 deri në 40 ka qenë numri i paraparë. Jemi munduar që të marrim dy-tre familjarë prej secilës komune”, tha ajo.
“Të gjitha rastet që ende janë të pazgjidhura, familjarët ende nuk janë asnjëherë komplet. Gjithmonë iu mungon diçka, gjithmonë janë në pritje. Gjatë vizitave që kemi pasur, kemi parë se në momentin që hapet dera, ata gjithmonë presin mos ka ndonjë lajm”, tha Syla.
Pas vizitave të shumta te familjarët e personave të zhdukur, Kryqi i Kuq gjatë ditës së nesërme do të ekspozojë fotografi të realizuara me familjarët.
Për shënimin e 30 gushtit, Kryqi i kuq i Kosovës e ka realizuar ku shfaqen me 1621 qirinj, të cilët simbolizojnë numrin e personave për të cilët nuk dihet se ku i kanë eshtrat. Që nga lufta e fundit në Kosovë, ende nuk dihet fati i 1621 personave të zhdukur.