Bashkimi Evropian nënshkroi sot aktin ligjor, me të cilin Kosova hyn në listën e shteteve, të cilave nuk iu nevojitet viza hyrëse për në Bashkimin Evropian.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, eurodeputeti evropian, njëherësh raportuesi për Kosovën në cështjen e vizave, Thijs Reuten u shpreh se me këtë vendim padrejtësisë ndaj Kosovës i vjen fundi.
Ndërkaq, zëvendëskryeminsitri Besnik Bislimi tha se liberalizimi i vizave për Kosovën do ta afrojë Kosovën më afër Bashkimit Evropian.
Ndryshe, Parlamenti Evropian ka miratuar dje vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka quajtur hap të rëndësishëm për demokracinë në Kosovë, por edhe Evropën. Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka potencuar se miratimi i liberalizimit të vizave është meritë e të gjithëve./KosovaPress