Në ambientet e Korporatës Energjetike të Kosovës, pikërisht në Termocentralin “Kosova B”, është mbajtur ceremonia zyrtare e nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e pesë impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura dhe një objekti për magazinimin e kimikateve.
Ky projekt realizohet në kuadër të iniciativës “Përmirësimi i cilësisë së ujit të lumit Sitnica përmes ndërtimit të impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në TC ‘Kosova B’’.
Me këtë rast, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi rëndësinë e projektit për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm në vend.
Gjatë aktivitetit u prezantuan objektivat dhe rezultatet e pritshme të projektit, të cilat përfshijnë krijimin e një sistemi më të avancuar për menaxhimin e ujërave të ndotura, duke trajtuar kategori të ndryshme si ujërat industriale, ujërat me përmbajtje vajrash, ujërat e ndikuara nga kimikatet, rrjedhjet nga zonat e depozitimit të qymyrit, ujërat atmosferike dhe ato sanitare.
Projekti, me vlerë rreth 12 milionë euro, financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS, në bashkëpunim me institucionet vendore, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.