Klubi i basketbollit Golden Eagle Ylli këtë edicion ka për mision mbrojtjen e titullit kampion në Superligën e Kosovës. Fillimi tejet i dobët i sezonit vuri në dyshim serioz arritjen e këtij objektivi, por situata ndryshoi për të mirë pas xhiros së katërt.
Nënkryetari i klubit, Lendrit Palushi thotë se humbjet e njëpasnjëshme në fillim të sezonit, lanë shije të hidhur te tifozët e skuadrës, por ato nuk i kishin shqetësuar drejtuesit e klubit, pasi ata ishin të kënaqur me përkushtimin dhe punën e trajnerit dhe të lojtarëve.
Palushi për KosovaPress, zbulon se pas nisjes së dobët të sezonit, trajneri Adis Beçiragiç, kërkoi që të largohet, gjë të cilën nuk e pranuan drejtuesit e klubit.
“Pas humbjes nga Peja trajneri kërkoi që të largohet, mirëpo e kemi parë të rrugës që nuk ishte trajneri fajtori kryesor, aty sa ishim ne të klubit, pasi që i lamë të largohen dy ndër lojtarët kryesor në Kosovë por arritëm që edhe këtë vit ta mbajmë trajnerin dhe besoj që, nuk e di, por në bazë të asaj çfarë kemi biseduar me të, trajneri ndoshta është i gatshëm edhe vitin e ardhshëm të qëndrojë.”, theksoi Palushi.
“Nuk ka qenë e lehtë as dy vitet e kaluar, por ky vit besoj që do të jetë pak më i vështirë, pasi që kualiteti i lojtarëve është rritur edhe organizimi në klube është shumë më i madh. Nuk e di, si pretendent kryesor deri tani çfarë kemi parë është Trepça, Prishtina dhe Peja.”, ka thënë Palushi.
Përtej kampionatit vendor, numri dy i KB Yllit pranon se nuk është i kënaqur me ecurinë e skuadrës në garat evropiane.
Përveç anës sportive, Palushi flet edhe për gjendjen financiare të klubit. Derisa vlerëson lartë ndikimin e ligjit të sponsorisimit dhe të mirat e tij, ai thotë se 70 përqind të buxhetit të klubit e mbulon kompania që e drejton, Golden Eagle Ylli.
“Klubi i Yllit 70 përqind të buxhetit e mbulon kompania jonë, Golden Eagle, kurse pjesa tjetër, nuk është një pjesë e vogël sigurohet prej sponsorëve të tjerë. Sporti në përgjithësi është mjaftë i zorshëm ta menaxhosh, por të gjitha përvojat që i kemi pasur në kompani i kemi përcjellë edhe në menaxhimin e klubit, përzgjedhjen e njerëzve adekuat.”, ka shtuar ai.
“Disa biseda që i kemi pasur me trajnerin, ai ka kërkuar njëherë ta mbajë këtë ekip. Ndoshta aty tek mbyllja ë xhiros së tretë, aty kemi mundësi të sjellim lojtarë të huaj sepse për vendorë ka përfunduar afati kalimtar. Nuk e di, ndoshta do të sjellim edhe pse vet nuk e di në cilat pika kemi nevojë më shumë, por me kalimin e kohës do t’i shohim edhe mangësitë që i ka klubi.”, tha Palushi.
Nënkryetari i klubit nga Suhareka u shpreh i shqetësuar me incidentet ndërmjet tifozëve në palestrat sportive. Sipas tij, është përgjegjësi e Federatës së Basketbollit dhe vet klubeve që organizimin e garave dhe ndeshjeve ta marrin më seriozisht dhe raste të tilla të mos ndodhin asnjëherë. /A.Bytyçi