Një monument për juristët që luajtën një rol në shpëtimin e hebrenjve bullgarë gjatë Holokaustit u zbulua të mërkurën në sheshin “Vazrazhdane” të Sofjes. Nisma erdhi nga Shoqata e Prokurorëve në Bullgari dhe Dhoma e Hetuesve në Bullgari, ndërsa projekti u zbatua me ndihmën e bashkisë së Sofjes.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ambasadori izraelit Yosef Levi Sfari, përfaqësues të gjyqësorit, autoriteteve lokale në kryeqytet, komunitetit akademik dhe qytetarë. Shiriti u pre nga kreu i Shoqatës së Prokurorëve në Bullgari Vladimir Nikolov, Kryetarja e Dhomës së Hetuesve në Bullgari Preslava Petkova dhe Georgi Georgiev nga Këshilli Bashkiak i Sofjes.
Nënkryetari i Dhomës së Hetuesve Jasen Todorov tha se juristët bullgarë që morën pjesë në shpëtim patën guximin dhe dinjitetin të ngrihen kundër status-quo-së në mbrojtje të vlerave njerëzore.
Sipas tij, monumenti synon t'i tregojë botës se Bullgaria dhe Sofja janë qendra tolerance ku jetojnë së bashku etni dhe fe të ndryshme, si dhe t'i tregojnë vetes se kur ka një çështje kombëtare, shtresa të ndryshme shoqërore me pikëpamje të ndryshme politike dhe financiare.
Yosef Levi Sfari falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në projektin e monumentit, i cili do të kujtojë "rolin vendimtar të juristëve në shoqëritë tona".
Monumenti është punuar nga skulptori Krasimir Angelov dhe arkitekti Stanislav Konstantinov. Ai përfaqëson Yllin e Davidit kur shihet nga lart. Është prej bronzi të derdhur. Duke kaluar nëpër monument, njeriu gjendet mes dy pasqyrave që shumëfishojnë imazhin, që mund të interpretohet si ruajtje e jetës njerëzore dhe e familjes.