Ndryshohet Ligji për mbrojtjen e konsumatorit, Hajdari: Fuqizohen konsumatorët me rol aktiv në treg
Lexohet për: 4 min.
Komisioni-per-ekonomi-241122
2 vite më parë
Linku u kopjua

Komisioni për Ekonomi të enjten miratoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit.

Gjatë arsyetimit të këtij projektligji, ministrja  e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, theksoi se ky projektligj synon që konsumatorët të fuqizohen dhe të luajnë një rol aktiv në treg.

“Qëllimi i këtij projektligji është fuqizimi i konsumatorit për rol aktiv në treg, që ushtron të drejtat dhe fuqinë e tij ose saj të zgjedhjes në mënyrë të informuar për blerjen e mallrave dhe shërbimeve të pranuara. Politikat e mirëfillta të hartuara dhe të zbatuara për mbrojtjen e konsumatorëve i mundësojnë atyre të bëjnë zgjedhje të mirë informuar, duke krijuar pozitivisht në krijimin e një konkurrence dhe rritje të qëndrueshme. Plotësim ndryshimi i ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, synon që konsumatorët të fuqizohen dhe të luajnë një rol aktiv në treg, gjë që kërkon forcimin e besimit të konsumatorëve në blerjen e mallrave”, theksoi ajo.

Anëtari i komisionit parlamentar, deputeti nga Lëviza Vetëvendosje Driton Hyseni tha se në shumë raste ka tendencë që konsumatori të mos informohet saktë me komponentët që përbëjnë çmimin e ndonjë produkti apo shërbimi. Rrjedhimisht në situata të tilla, ai konsideroi se konsumatorit me ligj duhet dhënë e drejta të njoftohet për të gjitha detajet e që përbëjnë një çmim total për një produkt apo shërbim.

Deputeti Hyseni tha se ka raste të ndryshme, por veçoi rastet kur udhëtarëve që udhëtojnë me aeroplan duhet t’u jepet e drejta që të njihen me krejt komponentët e çmimeve të biletave që blejnë për udhëtime.

“Do të ishte mirë që në ligj të futet (neni për komponentët), për arsye se ka pasur shumë ankesa prej shumë njerëzve të cilët shfrytëzojnë transportin ajror, nuk kanë informacion në lidhje me përbërjen e çmimit që përmblidhet në një biletë aeroplani, ku aty ne kemi segmentin qoftë për të hyrat për aeroportin, taksat e nevojshme. Kështu që janë disa komponentë, të cilat e përbëjnë çmimin, le të themi e një udhëtimi ajror në këtë rast. Në secilin rast konsumatori është në të dejtë e tij që të marrë informacionin e plotë në lidhje me mënyrën se si është ardhur një çmim total, qoftë për një biletë aeroplani apo për produktet e tjera, dhe tregtari ka nevojë që t’ia sqarojë konsumatorit saktë përbërjen e çmimeve se me çfarë parametrash ka ardhur deri te çmimi total... Pra, në ligj duhet saktësuar, dhe konsumatori gjithmonë me pasur të drejtën e tij që të jetë i njoftuar saktësisht me secilin segment që e përbën çmimin total për një shërbim ose produkt që i ofrohet”, theksoi Hyseni. 

Për këtë propozim të deputetit Hyseni, është pajtuar ministrja e Hajdari, por që dha disa shpjegime.

“Pajtohem me deputetin Hyseni dhe po ju njoftoj se ky ligj është plotësuar kryesisht për harmonizimin e direktivave. Plani i Ministrisë ka qenë që të sjellë një ligj të ri, por duke i pasur parasysh afatet e shkurta për legjislacion, ne kemi sjellë së pari plotësim ndryshimin dhe në vitin e ardhshëm mendoj se do ta kemi komplet një ligj të ri me të gjitha detajet, në këtë rast edhe komponentët që mund të shtojmë si nen – artikull për t’i mundësuar qytetarit njohjen me të gjitha komponentët që krijon një çmim dhe me kostot, sepse jemi të vetëdijshëm sot me spekulimin e çmimeve në situatën dhe krizën që është në mbarë botën. Gjithmonë në tregti ka pasur manipulime dhe ka ende, kam dëshmitarë të gjetjeve në rrjetet e shitësve me pakicë, ku çmimet kanë shkuar me një marzhë të pa arsyeshme dhe shumë të lartë në kurriz të qytetarit. Çdo gjë që është në interes të qytetarit e të biznesit të shëndoshë duhet të integrohet”, tha Hajdari.

Deputeti Hyseni, pyeti ministren po ashtu edhe për aktivitetin në këtë fazë të shoqatave për mbrojtjen e konsumatorit dhe për rolin e MINT në këto shoqata.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024