Kryeministri Albin Kurti ka folur mbi ndryshimet pozitive në sektorin e shëndetësisë, përkatësisht në pajisjen e klinikave të QKUK-së me pajisje të reja, të cilat krahas trajtimit më të mirë të sëmundjeve, ka eliminuar edhe kohën e pritjes dhe tash pacientët mund të marrin trajtim brenda vendit.
Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se Klinika e Onkologjisë është e pajisur me akseleratorin e gjeneratës së fundit dhe posedon sistemin e teknologjisë C-RAD, i vetmi i tillë në rajon, përmes së cilit ofrohet siguri maksimale gjatë rrezatimit të pacientëve që i nënshtrohen radioterapisë në këtë klinikë.
Ai ka bërë të ditur se njëkohësisht në këtë klinikë po ofrohet falas vaksina HPV për sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës dhe se lista e barnave esenciale është zgjeruar duke iu falënderuar rritjes së buxhetit për barna esenciale me 150%.
“Klinikë pas klinike. Javën tjetër radhën e ka Klinika e Urologjisë”, ka paralajmëruar Kurti.