Komuna e Obiliqit ka reaguar ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për siç thuhet ‘gjendjen e krijuar për ndotjen dhe zhurmën e shkaktuar në këtë komunë.
Komuna e Obiliqit, duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit, Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, Direktivën 2001/80/EC, si dhe UA nr. 16/2007 mbi Rregullat dhe Normat e Shkarkimeve në Ajër nga burimet e palëvizshme të ndotjes, dhe në kuadër të mbikëqyrjes së aktiviteteve me standardet dhe normat ligjore për mbrojtjen e mjedisit – ajrit, ujit, tokës dhe zhurmës, ngrit shqetësimet për gjendjen e krijuar në Obiliq.
Më tej thuhet se ‘Këto dy vitet e fundit nuk është realizuar asnjë nga projektet e dedikuara për komunitetin (qytetarët) në territorin e Obiliqit. Projektet, të cilat janë të hartuara dhe të gatshme për t’u implementuar, Komuna e Obiliqit gjatë këtyre tri viteve të fundit vazhdimisht ka dërguar projekte të cilat do të kishin impakt direkt në përmirësimin e jetës së qytetarëve, por KEK-u nuk ka marrë parasysh asnjë nga këto projekte”.
Në reagim thuhet po ashtu se ‘Që nga data 20.08.2024 deri më datën 15.09.2024, filtrat brenda Kosovës B kanë qenë jashtë funksionit dhe gjendja në Termocentralin “Kosova B” ka pasur tejkalime enorme, për çka ka pasur raportime në media e rrjetet sociale. Nga deklarimet e qytetarëve gjatë këtyre ditëve, ajri në Obiliq ka arritur nivele shumë të larta të ndotjes. Po ashtu, pranë këtij termocentrali ishte krijuar zhurmë e cila është e padurueshme për banorët, kryesisht në orët e mbrëmjes. Gjatë tërë kësaj periudhe kemi reaguar dhe kemi kërkuar nga Korporata Energjetike e Kosovës të ofrojë të dhëna (raportojë) për gjendjen. Kemi kërkuar një raport të detajuar për TC A dhe TC B për datat e lartpërmendura, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Edhe sot kemi pasur një situatë të ngjashme në qytetin e Obiliqit, ku ndotja e ajrit ka qenë jashtë të gjitha përmasave normale’.“Atëherë mund të konkludojmë me siguri se termoelektranat gjatë gjithë këtyre viteve jo vetëm që kanë shkaktuar një ambient të ndotur dhe të dëmshëm, por në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë ndikuar në cilësinë e jetesës, shëndetin e njerëzve dhe shkurtimin e jetës”, thuhet në reagim.
Sipas Komunës së Obiliqit, ndotja e mjedisit është kthyer në një ndër faktorët kryesorë për shkurtimin e jetës së banorëve të Obiliqit.
“Kemi shkarkime jo vetëm nga termocentralet, por edhe nga sistemi hidraulik i hirit, i cili shkarkohet në lumin Sitnica, për çka kemi ngritur shqetësime dhe i kemi drejtuar disa herë kërkesa KEK-ut”.