Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka folur sot në konferencë për media, para ndeshjes së nesërme tejet të rëndësishme kundër Viktoria Plzen në Ligën e Konferencës.
Ballkani luan nesër kundër Viktoria Plzenit në rolin e vendasit, por që ndeshjen e zhvillon në stadiumin “Air Albania” të Tiranës, raporton KosovaPress.
“Do jemi në 100% e motivimit nëse nesër do të na mbështesin një publik sa më i gjerë këtu në Shqipëri. Me kontingjentin nuk jemi 100% në dispozicion sepse kemi mungesat e Hamidit, që është i pezulluar për shkak të kartonëve të verdhë, kemi edhe Tolajn që është dëmtuar pardje në seancën stërvitore dhe kemi rikthimin pas ndeshjes me Malishevën të Berishës që i është bashkuar grupit në stërvitje, por që mendoj që çdo futbollistë në një stadium të tillë, në një moment të tillë që neve mund të bëjmë diçka që nuk është bërë asnjëherë, pretendojmë të bëjmë një diçka të tillë, se nuk po e them për t’i ngarkuar edhe lojtarët”, tha Daja.
Më tej, Daja tregoi edhe se çka duhet të bëjë skuadra e tij nesër, duke thënë se lojtarët e tij do të jenë në 100% e tyre.
Për fund, Daja tha se Ballkani duhet ta fitojë ndeshjen e nesërme, nëse pretendon ta realizojë “ëndrrën e çmendur” që është kualifikimi.
“Jemi me këmbë në tokë, sigurisht që edhe këtu ku kemi arrit është një arritje historike për futbollin e Kosovës dhe futbollin e Suharekës, sepse kemi dy vite që prezantohemi në grupet e Ligës së Konferencës. Neve nesër do të mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme me kontingjentin që kemi në dispozicion, por që ajo që unë do të vlerësoja nesër nuk është vetëm fakti i pikëve sepse nëse do të pretendojmë në një ëndërr të çmendur, po e them në thojza, duhet patjetër që ta fitojmë ndeshjen”.