Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka ndërruar jetë gjatë ditës sotme. Lajmi është publikuar nga mediat shqiptare të cilat raportojnë se prej muajsh, ai ishte i shtruar në një spital në Gjermani pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.
Një muaj më parë, Nishani ishte shtruar në Sanatorium pasi u infektua me koronavirus. Dy ditë pas shtrimit, gjendja e tij u rëndua dhe u transportua drejt Gjermanisë, ku ndërroi edhe jetë.
Paraprakisht, nga marsi 2007 – shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm; nga shtatori 2009 – prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit.
I lindur më 29 shtator 1966 në qytetin e Durrësit, Nishani studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, në vitin 1988. Ai kreu studimet pasuniversitare në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004. Në vitin 2005 merr titullin “Master”, në Studimet Evropiane, në Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës.
Karriera politike e zotit Bujar Nishani ka kaluar nëpër këto etapa: në vitin 1991 anëtarësohet në Partinë Demokratike; në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën; në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike; në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.
Në korrik të vitit 2005, zoti Nishani zgjidhet deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.