Hendbolli kosovar ka mbetur pa personalitetin e shquar të tij. Të hënën ka ndërruar jetë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci.
Gjinovci ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare njoftoi Federata e Hendbollit të Kosovës.
Kontributi i tij për zhvillimin e hendbollit kosovar është kolosal.
Pas karrierës së suksesshme si hendbollist i Prishtinës, i ndjeri Gjinovci mori drejtimin e klubit prishtinas. Ka sakrifikuar shumë për ta udhëhequr klubin me sukses, ndërsa në një periudhë e kishte shkrirë gjithë pasurinë për mbarëvajtjen e klubit.
Prej vitit 2002 e deri në ditën e fundit të jetës e ka kryer me sukses të plotë punën e sekretarit gjeneral të Federatës së Hendbollit të Kosovës. Ka udhëhequr procesin e lobimit ndërkombëtar, së bashku me presidentin e nderit të FHK-së, Mexhid Devaja. Suksesi ishte madhështor.
Që në vitin 2004, një dekadë para sporteve tjera ekipore, FHK-ja u pranua me të drejta të kufizuara në Federatën Evropiane të Hendbollit. Klubet kosovare e fituan të drejtën e paraqitjes në gara evropiane dhe kontributi i Izet Gjinovcit në këtë proces ishte i madh.
Raportet e të ndjerit Gjinovci me komunitetin e hendbollit në vend ishin shembullore. Ai është vlerësuar e është çmuar në secilin mjedis ku është paraqitur. Edhe raportet me drejtues të IHF-së e EHF-së dhe të federatave tjera nacionale i kishte të shkëlqyera. Është dalluar për karizmën që i ka mundësuar qasje në nivelet më të larta të hendbollit ndërkombëtar. Prej 23 prillit të vitit 2021, Gjinovci ishte anëtar i Gjykatës së Apelit të EHF-së.
Në këtë organ të rëndësishëm ishte zgjedhur me votat e anëtarëve të Kongresit të EHF-së. Ishte prej më të votuarve dhe kjo dëshmon për respektin që ka gëzuar në nivelet ndërkombëtare të hendbollit.
Bashkëpunimin me federatat tjera të vendit dhe me institucionet shtetërore e kishte të shkëlqyer. Dyert i ka pasur të hapura në çdo vend falë punës së madhe që e ka kryer.
Me ndarjen nga jeta të Gjinovcit, hendbolli kosovar dhe FHK-ja kanë mbetur pa një shtyllë shumë të rëndësishme.