Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka arsyetuar vendimin e Qeverisë për subvencionimin e linjave ajrore drejt destinacioneve të caktuara, duke theksuar se një praktikë e tillë zbatohet nga shumica e shteteve të rajonit dhe më gjerë për të nxitur turizmin dhe për të lehtësuar ardhjen e mërgatës.
Në një reagim publik, Kurti tha se rreziku i anulimit të një pjese të fluturimeve gjatë muajve korrik dhe gusht, për shkak të rritjes së kostos së karburantit, e ka bërë të domosdoshëm ndërhyrjen e Qeverisë.
“Kam angazhuar ministrat Hekuran Murati dhe Dimal Basha për të parë mundësinë e një mase që do ta parandalonte një situatë të tillë”, ka deklaruar Kurti.
Ai bëri të ditur se vendimi i marrë nga Qeveria parasheh ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e linjave ajrore që lidhin Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” me aeroportet nga ku udhëton mërgata kosovare. Masa, sipas tij, mbulon periudhën e mbetur të sezonit veror të aviacionit deri në fund të muajit tetor.“Nuk bëhet fjalë për blerje biletash apo ardhje të organizuar për zgjedhje, siç u pretendua nga disa qarqe të bllokut opozitar. Kjo është një skemë mbështetëse sikurse e bëjnë shumica e shteteve të rajonit”, shkruan Kurti në Facebook.
Në fund të reagimit, Kurti u ka drejtuar një mesazh bashkatdhetarëve: “Mërgatë, mirë se vini!”.