Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë në lidhje me Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon qarkullimin e dinarit serb në vendin tonë, thekson se Zyra e Kryeministrit mbështet plotësisht pavarësinë e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe profesionalizmin me të cilin ajo kryen detyrat e veta.
Ai deklaron se e kupton se çështja ka mundur të komunikohej më qartë për të shmangur konfuzionet dhe ka theksuar se e di se duhet një periudhë tranzicioni.
Sipas tij, kjo rregullore nuk e targeton dinarin e Serbisë.
“Banka Qendrore ka kërkuar, me të drejtë, që transaksionet joformale që kryhen në dinarë të Serbisë të formalizohen; prandaj, ekzistenca dhe vazhdimi i tyre kishin qenë të kundërligjshme. Monedha zyrtare e Kosovës është euro dhe rregullorja vjen thuajse 16 vjet pas deklarimit tonë të pavarësisë. Ky vendim është përgjegjësi themelore e Bankave Qendrore, duke synuar rregullimin e hyrjes së monedhave të huaja brenda territorit. Mungesa e një rregulloreje të tillë mund të rezultojë në shpërlarjen e parasë, financimin e terrorizmit dhe aktivitete të tjera të kundërligjshme”, citohet Kurti në deklaratë.
“Natyrisht, posedimi privat i monedhave të huaja mbetet i lejueshëm. Meqenëse Qeveria jonë shpërndan para publike në formë të subvencioneve dhe mjeteve të tjera për mbrojtje sociale, të cilat janë marrë njëkohësisht nga komuniteti serb në lllogaritë e tyre bankare në euro, ka dëshmi të forta se këto llogari bankare kanë përdorim të gjerë. Pothuajse 35% e komunitetit serb në Kosovë marrin pensione nga Qeveria jonë në llogaritë e veta në Euro. Pensionet që marrin nga Serbia mund të transferohen në të njëjtat llogari, si plotësim dhe jo si zëvendësim të skemave ekzistuese të përfitimeve. Përveç degëve bankare zyrtare, ka 15 institucione të tjera financiare ku pensionet nga Serbia mund të ndahen, në mungesë të llogarive bankare”, thuhet në deklaratë.
Megjithatë, sipas tij, një periudhë tranzicioni është e nevojshme.