Ndahen çmimet për institucionet për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve
Lexohet për: 6 min.
319272480_819527189151659_2564129073632944051_n
2 vite më parë
Linku u kopjua

Zyra e Komisionarit për Gjuhët (ZKGJ), në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE), mbajtën edicionin e katërt të ceremonisë vjetore të ndarjes së çmimeve për “Praktikat më të mira për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”.

Me ketë rast çmimet janë ndarë për Presidencën, Agjencionin Anti-Korrupsion dhe E-Kosova.

Slavisha Mladenoviq, nga komisionar për gjuhë pranë Zyra e Komisionarit për Gjuhët, Zyra e kryeministrit, ka përmendur disa nga konkluzionet qe përfaqëson ky çmim, derisa shtoi se nuk zbatohet ky ligj siç duhet.

“Një konkluzë e përgjithshme është se nuk zbatohet sa duhet ky ligj në përgjithësi dhe mund të themi që nuk ka praktika ideale të zbatimit të këtij ligji, por është shumë e rëndësishme që shihet se janë disa institucione qe performojnë më mirë se të tjerat dhe një tjetër gjë që është me rëndësi është që ky çmim nënkupton edhe një çmim për kontributin personal të cilin njerëzit që punojnë në ato institucione kanë shkuar një hap shtesë  për të siguruar që zbatojnë këtë ligj", tha Mladenoviq.

Ambasadori Micheal Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë e ka vlerësuar këtë edicion mjaft të rëndësishëm. 

Davenport është shprehur i shqetësuar se si gjuhët po zhduken në mënyrë të përshpejtuar.

"Ky është një event dhe praktikë e rëndësishëm, sepse gjuha është shumë e rëndësishme, si dhe pjesë  e identitetit, e trashëgimisë tradicionale që ne të gjithë e kemi në një mënyrë... 8:38 Disi në botë janë shtatë mijë gjuhë të ndryshme, shumë prej të cilave po zhduken me një ritëm tejet të shpejtë, nëse nuk gaboj janë nëntë gjuhë në vit që zhduken dhe sipas disa vlerësimeve kjo dinamikë vetëm sa do ta përshpejtojë hapin në vitet dhe dekadat në vijim. Të gjithë ne që vijmë nga jashtë në Kosovë mbesim të befasuar me tapestrinë e pasur të gjuhëve në Kosovë dhe kjo duhet çmuar, duhet zhvilluar dhe duhet gëzuar duke pasur gjithmonë parasysh rëndësinë e zbatimit të legjislacionit për gjuhët duke u siguruar që mësimi i gjuhës së tjetrit nënkupton respektim të njëri-tjetrit, respektim të kulturës së njëri-tjetrit”, tha Davenport.

Ambasadori zviceran Thomas Kolly, tha se përfitimet ekonomike që gjuhësia sjell në ekonominë e vendit janë mjaft të mira. Ai tha se personi që flet dy gjuhë zyrtare në Zvicër, përjashtim gjuhën angleze, ka të ardhura për 20 për qind më shumë në krahasim me personat tjerë që flasin një gjuhë zyrtare.

"Kur kemi shumë gjuhë kemi edhe shumë sfida por duhet mbajtur mend që kemi një pasuri të madhe... Në Zvicër kemi katër gjuhë zyrtare, kemi gjermanishten grupin më të madh, pastaj frëngjishten, italishten dhe romanshen, ku më pak se një për qind e njerëzve, të qytetarëve të Zvicrës e përdorin këtë gjuhë si gjuhë amtare... Sa i përket diversitetit gjuhësor e kulturor para disa viteve një profesor gjerman nga një perspektivë ekonomike ka bërë një studim dhe ka nxjerrë përfundime që për Zvicrën si shtet, fakti se jemi shtet shumë gjuhësor, vetëm ky fakt ndikon në një rritje të madhe prej 10 për qind të bruto prodhimit vendor të GPS, në nivelin personal e ka konkluduar se dikush që flet së paku dy gjuhë zyrtare në Zvicër, përjashtim anglishten, sepse është bërë e obliguar për të gjithë, mesatarisht ai person do të ketë të ardhura 20 për qind më të larta se personat tjerë që flasin vetëm një gjuhë zyrtare", tha Kolly.

Safete Graiçevci, koordinatore për sigurimin e zbatueshmerisë, Zyra e Komisionarit për gjuhët, është shprehur e pakënaqur me atë që kanë monitoruar, sipas saj në shumicën e rasteve nuk është zbatuar ky ligj.

Graiçevci tregoi edhe disa prej kritereve të atyre që kanë fituar çmimet.

"Në shumicën e rasteve ka ardhur të rënia e nivelit të zbatimit të ligjit për shkak të kapaciteteve institucionale që janë duke rënë dhe njerëzit që i kanë dëgjuar janë gjithnjë e më pak. Nuk është se jemi në tërësi të kënaqur me atë që kemi monitoruar, por për ta dhënë një stimulim i kemi përzgjedhur tri institucione, të cilat konsiderojmë se qëndrojnë më lart se institucionet tjera. Kur kemi të bëjmë me Presidencën kemi biseduar me gazetarë, të cilët kanë shprehur një kënaqësi që komunikimi me gazetarë është në nivel të duhur dhe kjo na ka dhënë një stimulim që ta shpërblejmë Presidencën që në të ardhmen të jetë azhure gjithashtu duke kërkuar prej Presidencës që edhe në të ardhmen në rrjetet e saj të jetë në gjuhët zyrtare, sepse aty është parë një mangësi. Ndërsa tek Agjencioni AntiKorrupsion kemi biseduar me institucione dhe qytetarë dhe të gjithë ata kanë paraqitur një gjendje shumë të përmirësuar të këtij agjencioni. Ndërsa, tek E-Kosova është një punë e përbashkët e jona, por aty kemi biseduar me qytetarë dhe institucione dhe vetë nevoja që të paraqiten shërbimet e qytetarëve shumë shpejt, ka paraqitur nevojën e një bashkëpunimi të zyrës sonë dhe E-Kosova, e cila ka sjellë një punë të mirë, e cila do të vazhdojë në të ardhmen. Do të vazhdojë që gjuhët jo vetëm të jenë të përkthyera, por të jenë unike, të përputhshme gjuha shqipe dhe serbe, po ashtu gjuha angleze është e mirëseardhur”, tha Graiçevci.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024