NATO rithekson mbështetjen e saj të plotë për përpjekjet e BE-së në Kosovë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Ukraina do të kryejë trajnime rehabilitimi psikologjike në kuadër të programit të NATO-s për ushtrinë
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Tom Goffus, iu bashkua Stefano Tomat, Komandant i Operacioneve Civile në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, në takime të veçanta me kryenegociatorët e Beogradit dhe Prishtinës. Takimet u zhvilluan në margjinat e Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja të organizuar nga Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor, z. Miroslav Lajçak.

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione diskutoi situatën e sigurisë në Kosovë dhe adresoi shqetësimet e sigurisë në lidhje me hapjen e mundshme për trafikun rrugor të urës së lumit Ibër në Mitrovicë. Goffus theksoi nevojën për një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Ai vuri në dukje se “vendimet duhet të merren përmes dialogut, në koordinim me kohë dhe në mënyrë efektive me Komunitetin Ndërkombëtar dhe në mënyrë që të mos rrezikohet siguria e komuniteteve lokale apo e trupave të NATO-s”. Ai shtoi se “misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO është i detyruar nga mandati i tij i OKB-së për të adresuar çdo shqetësim të sigurisë dhe për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt”.

KFOR-i mban poashtu sipas njoftimit prezencën e tij fikse në urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth.

"Goffus përsëriti mbështetjen e plotë të NATO-s për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është korniza për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, e cila është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i dhe misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) mbajnë koordinim të ngushtë, në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë. NATO ka një bashkëpunim afatgjatë me Bashkimin Evropian dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë në mbështetje të stabilitetit rajonal", thuhet në njoftim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024