Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sot u shpreh se Kosova duhet të jetë e palëkundur edhe karshi zhvillimeve politike të fundit, ku po kërkohet gjymtimi i pavarësisë dhe kushtetueshmërisë.
Këto komente Nagavci i bëri në sesioni shkencor “Kosova 15 vjet pavarësi – sfidat dhe shtetndërtimi” i organizuar nga Instituti Albanologjik Prishtinë bashkë me Institutin e Historisë Tiranë dhe Instituti i Trashëgimisë në Shkup.
Ajo përmendi disa nga iniciativa e marra si qeverisje për arsimin e lartë, ndërsa shtoi se rruga e duhur për të ruajtur dhe forcuar pavarësinë është përmes edukimit të vazhdueshëm dhe cilësor.
“Me këtë histori në mendje, me kontributin dhe respektin për të gjithë gjeneratat që mundësuan këtë ne sot e festojmë 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës gjithherë duke pas parasysh se situata jonë karshi zhvillimeve politike me shtetin e Serbisë mbetet akoma e brishtë. Përderisa, nuk kemi platformë të përbashkët të vlerave qytetare mbi të cilat do të mund të zhvillonim bisedime për normalizimin e raporteve ndër-shtetërore jemi të vetëdijshëm që ne ballafaqohemi për të drejtën tonë të pamohueshme për pavarësi, andaj edhe duhet të jemi të vendosur e të palëkundur. Kjo vlen edhe për zhvillimet e fundit politike ku kërkohet nga ne madje edhe gjymtimi i pavarësisë dhe kushtetueshmërisë sonë. Por, pavarësisht gjithçkaje ne e vazhdojmë punën tonë për avancimin demokratike që kultivon dhe mbi të gjitha mbron të drejtat e qytetarëve të vetë pa asnjë dallim kombësie, feje apo race.”, tha Nagavci.
Sipas tij, mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së e kanë lënë pengë për një kohë të gjatë edhe funksionalizimin e plotë të shtetësisë së Kosovës.
Ai tha se stagnimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare është i dëmshëm edhe për rajonin.
Nga Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Asani tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës paraqet një projekt shekullor për mbarë kombin shqiptar.
Duke uruar që përvjetorët tjerë ta gjejnë Kosovën më të konsoliduar, Asani kërkoi që pavarësia dhe integrimi brenda kombëtar të shkojë paralelisht drejt një bote shqiptare të shtrirë në një planimetri global.
Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Institutit Historik “Ali Hadri”, Teuta Shala-Peli u shpreh se Kosova ditëlindjen e saj të 15 e shënon me shumë progres përfshirë edhe fushën e arsimit.
Duke kujtuar të gjithë ata që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Shala-Peli kujtoi edhe ish-krerët e UÇK-së të cilët po mbahen të paraburgosur në Hagë.
Në këtë sesion shkencor me titullin “Kosova 15 vjet pavarësi – sfidat dhe shtetndërtimi” do të prezantohen punime të ndryshme shkencore mbi pavarësinë e Kosovës./B.Ibishi/