Eksperti i sigurisë, Agim Musliu thotë se barrikadat në veri të vendit janë vendosur nga bandat serbe terroriste si Rojat e urës, Mbrojtja civile dhe Brigada e Veriut, dhe si të tilla sipas tij duhet të largohen sa më parë. Edhe ashtu, siç thotë ai, një situatë e tillë nuk mund të qëndrojë gjatë meqë është e tensionuar. Ai thekson se Policia e Kosovës ka kapacitet e duhura për të intervenuar në këtë aspekt, porse pritet një vendim politik pasi që këto të fundit të largohen.
Në intervistën për KosovaPress, Musliu thotë se prapa bandave terroriste serbe qëndron presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, derisa shton se në mesin e tyre pjesa dërrmuese janë ushtarë të plotë dhe të trajnuar, si dhe agjente të BIA-s.
Musliu apelon që forcat terroriste që veprojnë në veri të vendit të largohen sa më parë, qoftë edhe me dhunë.
“Kjo situatë nuk mund të qëndrojë gjatë sepse është e tensionuar, dhe së pari më së shumti tension kanë pjesëtarët e pakicës serbe që janë në atë pjesë sepse janë të terrorizuar nga bandat terroriste që veprojnë në veriun e Kosovës. Shembull, udhëheqësit e këtyre bandave, si Radoiçiq është shfaqur para disa ditëve në veriun e Kosovës, dhe duke i inkurajuar këta terroristë që të qëndrojnë në barrikada dhe të veprojnë dhe sulmojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, por është zhdukur pastaj dhe është në hotelin e vet. Është një lojë e cila vazhdon të orkestrohet nga presidenti Vuçiq për ta destabilizuar Kosovën, por edhe e shtyrë dhe e fryrë shumë nga diplomacia dhe shërbimet sekrete ruse ndihmuar edhe në terren. Mbrëmë e pamë që edhe në Beograd ishte organizuar një protestë, disa qindra protestues ishin por të importuar nga Kosova dhe me maska, të cilëve ju dështoi ajo protestë sepse nuk ju bashkëngjit askush... Këto forca terroriste që veprojnë në veriun e vendit duhet të largohen menjëherë. Duhet Serbisë t’i bëhet me dije, jo me fjalë, por me sanksione dhe me vepra tjera dhe me dhunë nëse duhet, sepse dhuna është instrument politik i skajshëm, duhet t’i tregohet se nuk mund të luhet më me flakën e luftës në Ballkan”, thotë Musliu.
“Grupet e njerëzve që i shihni në televizione janë grupe të organizuara nga presidenti Vuçiq drejtpërsëdrejti dhe nëse analizoni mund të shihni që janë autentike të xhiruara nga televizionet e kontrolluara nga presidenti i Serbisë, Vuçiq, dhe nëse analizoni edhe me tepër e shihni se edhe struktura e tyre në moshë nuk dallon shumë, 90 për qind prej tyre janë meshkuj, prej 25 deri në 45 vjet, do të thotë ushtarë të plotë dhe të trajnuar, veshmbathja e tyre është ushtarake, në ndonjë vend mund takohet edhe ndonjë femër, agjende të BIA-s apo përkrahëse të ideve të Vuçiqit. Kjo është ajo që mund të shohin ata njerëz që rrinë në tenda, janë përkrahës të Vuçiqit, janë pjesë e bandave terroriste që operojnë në veriun e Kosovës”, thotë ai.
Sa i përket maskave që pjesëtarë të bandave terroriste serbe po i bartin në veri të vendit, ai thotë se konsistojnë në organizimin terrorist të shtetit serb.
Ai komenton edhe kërkesat e Serbisë për lirimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, ish-pjesëtar i MUP-it, i cili akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues, për çka thotë se nuk negociohet për terroristë.
“Ai duhet të paraqitet në gjykatën e Prishtinës dhe duhet të verifikohet aktakuza ndaj tij. Ai akuzohet për terrorizëm dhe si akt i tillë nuk mund të falet ndaj askujt. Republika e Kosovës nuk negocion me terroristë, me grupe terroriste dhe kjo është e qartë dhe nuk ka asnjë dyshim në asnjë aspekt. Ai duhet të paraqitet në gjykatë si përfaqësues i këtyre grupeve terroriste. Unë mendoj se edhe pjestëtarë të tjerë do të arrestohen dhe do të sillen para institucioneve të drejtësisë të Republikës të Kosovës”, thotë Musliu.
Ai demandon edhe deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq i cili kishte mohuar plagosjen e policit Ekrem Neziri, për çka përmendi faktet që eksistojnë lidhur me këtë sulm.
Për ekspertin e sigurisë, Agim Musliun kërcënimet e Vuçiqit për kthimin e trupave serbe në Kosovë bëhen me qëllim të shpërqendrimit nga fokusi kryesor, e që është aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, që pritet të ndodhë këtë javë.
Në krejt situatën që po mbretëron në veri të vendit, Musliu nuk lë pa përmendur as ndikimin e Bashkimit Evropian. Ai konsideron se ndaj Serbisë duhet të vendosen sanksione sikurse ndaj Rusisë.
“Shtetet e Evropës nuk duan ta kuptojnë realitetin që zhvillohet në Ballkan dhe politikën që e zhvillon Vuçiqi, politikën ndihmëse, apo patericën e Putinit në Ballkan, duke tentuar ta destabilizojë edhe Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e të tjera... Evropa në tërësi duhet të jetë shumë më agresive ndaj politikës ruse e cila implementohet nëpërmjet Vuçiqit në Ballkan. Të gjitha sanksionet ndaj Rusisë duhet t’i aplikohen Serbisë, sepse është implementuese apo vazhduese e interesave ruse në Ballkan. Nuk ka kuptim nëse vetëm Rusisë i vendosen sanksione, ndërsa në Serbi e ledhatojnë”, thekson ai.
Ndryshe, barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.
Grupet kriminale serbe të maskuar kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX.
Si pasojë, një polic i Kosovës është lënduar, për çka ka marrë edhe trajtim mjekësor.