Mesfushori i Kosovës, Florent Muslija, ka theksuar se Kombëtarja e Kosovës do të bëjë maksimumin për të arritur një kualifikim historik në Kupën e Botës 2026, teksa skuadra përgatitet për ndeshjet vendimtare të fazës play-off në kualifikimet evropiane.
Kosova siguroi vendin e dytë në Grupin B pas Svicrës duke lënë pas Suedinë dhe Slloveninë. Tani skuadra e drejtuar nga trajneri Franco Foda do të përballet me Sllovakinë më 26 mars, në një duel vendimtar për të vazhduar rrugën drejt turneut që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë
“Në futbollin ndërkombëtar, padyshim që gjykohesh nga fakti nëse luan apo jo për klubin tënd. Kam një pozicion të mirë në ekip dhe kam bërë edhe disa paraqitje të mira në ndeshjet e fundit. Shpresoj që të mund ta çoj formën time të mirë të klubit edhe në ekipin kombëtar dhe madje ta përmirësoj atë”, ka deklaruar Muslija për FIFA.
Ai theksoi se roli i tij në ekipin kombëtar është i ngjashëm me atë që ka në klub, duke e parë veten si një nga lojtarët që duhet të marrë më shumë përgjegjësi në këtë fazë të karrierës.Muslija ka folur edhe për pritshmëritë që trajneri Foda ka ndaj tij në skuadër.
“Ai do që unë të marr përgjegjësi dhe e di që unë mund të jem fitues i ndeshjes. Ai do ta shohë këtë në fushë. Natyrisht, ai do që unë të ndihmoj edhe në mbrojtje dhe unë përpiqem të bëj më të mirën time në atë aspekt”, ka theksuar ai.
Kosova humbi vetëm një ndeshje gjatë fazës së grupeve, atë ndaj Zvicrës, por mesfushori beson se skuadra ka arsye të jetë krenare për rrugëtimin deri tani.
Ai kujtoi edhe golin e tij në barazimin 1:1 kundër Zvicrës, duke thënë se shënimi për vendin është një ndjenjë e veçantë.
“Të shënosh një gol për vendin tënd – dhe një gol kaq të rëndësishëm – të jep një shtytje dhe një ndjenjë besimi dhe lirie për të luajtur. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme”, është shprehur ai.
“Jemi bërë një njësi vërtet e fortë dhe jemi shumë të qëndrueshëm në mënyrën se si luajmë. Jemi të mirë në sulm dhe jemi forcuar edhe në mbrojtje”, ka thënë ai, duke përmendur edhe mënyrën se si skuadra u përball me sulmues si Viktor Gyökeres dhe Alexander Isak.
Mesfushori theksoi se, edhe pse Kosova është një vend i vogël, skuadra ka treguar se mund të rivalizojë me kundërshtarë më të mëdhenj.
Duke folur për sfidat e ardhshme, Muslija tha se skuadra duhet të përqendrohet fillimisht te përballja me Sllovakinë, ndërsa më pas mund të përballet me Turqinë ose Rumaninë nëse kalon më tej.
“Duhet të japim gjithçka që kemi. Secili prej nesh duhet të japë 100%. Duhet të lëmë gjithçka në fushë dhe të jemi të vetëdijshëm se çfarë mundësie e shkëlqyer është kjo për ne si komb”, ka thënë ai.“Ka një entuziazëm të madh, si midis lojtarëve, ashtu edhe midis të gjithë tifozëve dhe njerëzve që jetojnë në Kosovë dhe jashtë saj. Nëse arrijmë të kualifikohemi, do të ishte histori për një vend kaq të vogël. Kjo është një ëndërr që e ndajmë të gjithë”, përfundoi ai.