Përkundër vështirësive që vijnë nga ambienti i jashtëm, vlerësimet më të fundit tregojnë se rritja ekonomike do të jetë solide.
Kështu ka thënë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë takimeve vjetore me drejtues të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar që po mbahen në Marakesh të Marokos.
Në komunikatën për media thuhet se në këtë takim kanë diskutuar edhe për ecuritë e fundit ekonomike e fiskale, pritjet për vitin e ardhshëm dhe vitet në vijim.
“Ministri Murati po ashtu informoi përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore për përformancën e mbledhjes së të hyrave buxhetore, me theks të veçantë tek të hyrat tatimore. Ai tha se ky është viti i tretë me radhë ku të hyrat tatimore kanë rritje dyshifrore, kjo falë aktivitetit të shtuar ekonomik dhe rritjes së eficiencës në mbledhjen e tatimeve”, citohet Murati në komunikatë.
“Së fundmi, përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe FMN theksuan se projektet që janë negociuar dhe paraqitur në Kuvend për votim janë kredibile dhe me ndikim të konsiderueshëm për ekonominë e Kosovës, prandaj edhe votimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës është tejet i rëndësishëm”, thuhet në komunikatë.