Murati për rritjen e pensioneve për veteranët: Fillimisht duhet të pastrohen listat
Lexohet për: 6 min.
Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (4 of 6)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka folur për ligjin e pagës minimale dhe pakënaqësitë e veteranëve të luftës, të cilët nuk janë të përfshirë në rritje.

Murati u shpreh se rritja e pagës minimale do të prekë 100 mijë të punësuar në sektorin privat, ndërsa shtoi se për veteranët e luftës

sektorit publik dhe privat ku ka bërë të ditur se përfitues të ligjit për pagën minimale që e ka propozuar qeveria të jetë 250 euro neto, do të jenë 100 mijë të punësuar të sektorit privat.

Murati ka folur edhe për mbështetjen e veteranëve, ai ka thënë se paraprakisht duhet të pastrohen listat e veteranëve që të mbështeten me ligjin e pagave pasi që sipas tij shteti aktualisht i shpenzon 80 milionë euro në vit për veteranët e luftës.

“Rritja e pagës minimale prek rreth 100 mijë të punësuar që kanë nën nivelin që kemi propozuar ne, pra 264 euro bruto apo 250 euro neto pas kontributeve pensionale dhe po ashtu projektligji për pagën minimale që u diskutua dje në Kuvend parasheh heqjen e tatimit për 250 eurot e para d.m.th. me këtë heqje të tatimit përfitojnë të gjithë të punësuarit që janë 380 mijë aktualisht d.m.th. secilit të punësuarit, qoftë sektorit publik qoftë sektorit privat në fund të muajit ajo pjesa që iu është ndalur në tatim për 250 eurot e para i dalin si shtesë në pagën mujore që e marrin, kemi marrë masa edhe për sektorin e bujqësisë ku dihet se shumë bujq janë të vetëpunësuar, nuk kemi ndonjë sektor të formalizuar apo korporativ bujqësor por janë të vetëpunësuar, kemi rritur subvencionet, pra rritja është për rreth 60% për këtë vit krahasuar me vitet paraprake marrë parasysh, edhe rritjen e çmimeve por edhe nevojën për të siguruar ushqimin vendor nga 30 milionë euro që janë paraparë subvencione fillimisht ka shkuar shuma në 50 milionë euro për këtë vit”, ka thënë Murati

Bekim Haxhiu, deputet nga radhët e PDK-së ka ngritur disa çështje ndaj ministrit Murati, i cili ka kërkuar që të sillet në Kuvend projektligji për pagën minimale ku përfshihen edhe veteranët e luftës e që sipas tij 250 euro për veteranët nuk ndikojnë në buxhetin e shtetit.

“Çështja tjetër është e pagës minimale që e keni sjellë në Kuvend pa miratim e Këshillit ekonomiko-social në të cilin keni diskriminuar kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, vlerat luftës të UÇK-së, të verbrit dhe paraplegjikët, konsideroj që në vitin për aftësitë e kufizuara nuk do duhej që me ligj të diskriminoheshin kategoria e të verbërve e paraplegjikëve dhe e tetraplegjikëve, mendoj që kur keni kërkuar që të largohen nga paga minimale edhe kjo kategori me projektligjin që e keni sjellë në Kuvend nuk e keni menduar drejtë ose ata që ju kanë këshilluar nuk e kanë menduar drejtë këtë çështje, nuk është kategori e madhe nëse keni arsyeje për shkak të veteranëve që janë numër shumë i madh, te këto kategori nuk është numër i madh që afektojnë shumë në buxhetin e shtetit, por edhe veteranët në 170 deri në 250 euro nuk ku ndonjë rritje e që ka me pas ndonjë ndikim të madh në buxhet duke pasur parasysh që në vazhdimësi po flisni për rritje ekonomike dhe për rritje të buxhetit”, ka thënë Haxhiu.

Ministri i Financave ka bërë të ditur se shteti po i përkrah veteranët e luftës me 80 milionë euro, ani pse sipas tij 170 euro për veteranët nuk janë zgjidhje.

Murati ka shtuar se duhet të bëhet pastrimi i listave të veteranëve.

“Pagesa për veteranët aktualisht nëse nuk gaboj mund të mos jem i saktë në shifra por sillet rreth 80 milionë euro në vit d.m.th. nga perspektiva e një veterani edhe mund të duket që shteti po jep pak për ta sepse 170 euro me të vërtetë nuk është se mund të bëjnë ndonjë zgjidhje mirëpo shteti po jep 80 milionë euro, pra nuk është që shteti po jep pak për veteranin, por veteranit i kanë hyrë në hise disa të tjerë që ndoshta mund të mos jenë edhe veteranë, pra që marrin atë 170 euro dhe ky është problemi që kemi ngritur si qeveri edhe kryeministri e ka thënë që duhet të bëhet një pastrim i listave fillimisht për shkak të historisë tonë, ta lëmë anash çështjen financiare, fillimisht për shkak të historisë tonë duhet t’i tregojmë, duhet t’i trajtojmë drejtë ata që kanë luftuar dhe që janë veteranë pra që kanë kapur pushkën, kanë pasur guximin dhe të trajtohen drejtë dhe pastaj mund të ketë mbështetje. I gjithë populli e ka mbështetur luftën çlirimtare, ka qenë mobilizim i gjithë popullit”, tha Murati.

Ministri Murati iu është përgjigjur edhe pyetjes për tërheqjen e Trustit, i cili ka deklaruar se është gabim nëse një gjë e tillë do të ndodhte.

“Do të ishte mëse e gabuar të preket Trusti për shkak se e shkatërron sistemin ekzistues pensional që e kemi dhe e vonon në rrezik, pra çfarëdo planifikimi për të ardhmen dhe gjeneratat e reja, pra ose për gjeneratat që priten të dalin në pension për ta pasur një pension të dinjitetshëm dhe një pleqëri të sigurt”, tha Murati.

Gjatë javës së kaluar qindra qytetarë kanë protestuar duke kërkuar që t’iu lejohet tërheqja e Trustit deri në 30%.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024