Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Financave përmes një njoftimi kanë bërë të ditur se sot do të dalin pagat e para sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik.
Me këtë rast, MPB njofton se shtesat për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars.
“Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Komisionet për përcaktimin e shtesave të parapara me këtë ligj dhe aktet nënligjore që derivojnë prej tij, tashmë janë themeluar dhe janë duke mbledhur të dhënat nga institucionet përkatëse lidhur me zyrtarët që mund/do të përfitojnë këto shtesa, përfshirë këtu komisionet për shtesën për kushte specifike të punës, shtesën për kushte tregu dhe shtesën për ekspertët.
Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars.
Ftojmë të gjitha institucionet që të dërgojnë të dhënat e kërkuara nga komisionet përkatëse pa vonesë, në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më parë.