“Mos me pagu ujin është turp”, aksion kundër borxhlinjëve në Prishtinë
Lexohet për: 2 min.
prishtina
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka ndërmarrë një aksion në ditën e sotme, për shkyçjen nga sistemi i ujit për të gjithë qytetarët dhe bizneset të cilët nuk kanë paguar faturat e ujit të pijshëm. Qindra euro është vlera e borxheve të cilët nuk janë kryer nga konsumatorët në zonën e Prishtinës.

Sipas zëdhënëses së Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjekut, ky aksion është ndërmarrë me qëllim të vetëdijësimit të qytetarëve për ta paguar ujin e pijshëm, ngase sipas saj, kjo gjë ka kosto të lartë edhe për kompaninë dhe është e papranueshme sesi bizneset vazhdojnë të mos e përfillin pagimin e ujit të pijes.

Ajo ka theksuar se çdo konsumator i cili ka disa fatura të papaguara ose që kanë qasje ilegale në rrjet, do të shkyçen menjëherë nga sistemi i ujit dhe lënda e tyre do të shkojë në përmbarim e pastaj edhe në gjykatë, derisa potencon se vjedhja e ujit është vepër penale. 

Për Mjekun është e paprecedentë sesi bizneset nuk e paguajnë ujësjellësin, ndërsa konsumatorët me paga të ulëta ose me kushte të vështira të jetesës janë pagues të rregullt të tyre, por ajo shton se rastet sociale bëjnë përjashtim në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, pavarësisht borxhit që mund të kenë.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës i menaxherit për kontroll dhe shkyçje, Kushtrim Zeneli, ka paralajmëruar se çdo konsumator që nuk lejojnë ekipet e Kompanisë së Ujësjellësit “Prishtina”, të kenë qasje në ujëmatës do të marrin masa më të rënda, siç është shkyçja nga rrjeti kryesor i ujësjellësit.

Zona në të cilën është zhvilluar ky aksion ishin disa biznese dhe prona private në Rrugën B të kryeqytetit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025