Policia e Kosovës po vazhdon angazhimet e saja në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe në parandalimin e përdorimit të armëve të zjarrit në organizime festive në mbarë vendin.
Përveç shtimit të prezencës policore në ambiente të hapura ku mbahen organizime festive, Policia e Kosovës po ndërmerr veprime konkrete edhe në konfiskimin e armëve dhe mjeteve tjera të kundërligjshme që fatkeqësisht ende po përdoren në ahengje të ndryshme.
Posedimi dhe përdorimi i armëve në festa dhe ahengje, është i ndaluar dhe sanksionohet me ligj, andaj policia apelon të festohet me zemër e jo me armë.
“Mos e shndërroni gëzimin në hidhërim dhe tragjedi”, porosit policia, e cila fton qytetarët të bëjnë kujdes për sigurinë e tyre dhe të tjerëve, me theks të veçantë në ceremoni festive ku ka prezencë të madhe të njerëzve.