Morata ‘mezi pret’ të kthehet në Itali dhe të luajë për Milanin
Lexohet për: 2 min.
16-Morata
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Alvaro Morata mezi pret të kthehet në Serie A dhe të luajë për Milanin pasi dëgjoi “gjëra pozitive” nga Paulo Fonseca dhe Zlatan Ibrahimovic.

Morata përfundoi testet mjekësore të Milanit në Madrid të mërkurën në mëngjes dhe është në prag të bashkimit me kuqezinjtë për 13 milionë euro, raporton KosovaPress.

Gjiganti i Serie A do të paguajë një klauzolë lirimi për ta marrë atë nga Atletico Madrid dhe Morata do të nënshkruajë një marrëveshje katërvjeçare me Milanin sot.

“Mezi po pres. Duhet të shkoj në pushime dhe t'i shijoj sepse ata gjithmonë më kanë ndihmuar, por përndryshe, do të kisha filluar stërvitjen nesër”, tha Morata për “Sky Sport Italia”.

Spanjolli ka një lidhje të veçantë me Italinë. Jo vetëm gruaja e tij vjen nga Venecia, por 31-vjeçari kaloi edhe katër vite në Torino te Juventusi.

“E vërteta është se italianët më kanë trajtuar gjithmonë me një respekt të jashtëzakonshëm dhe mezi pres të shkoj me pushime në Itali fillimisht dhe më pas të luaj përsëri atje”, tha ai.

Çfarë ndjeu ai kur zhvillonte bisedime me Fonseca, Ibrahimovic dhe Giorgio Furlani?

“Gjithçka, të gjitha gjërat pozitive”, u përgjigj Morata.

“E di që kam ende vitet më të mira të karrierës sime përpara meje dhe dua t’i bashkohem këtij klubi të madh, Milanit”, tha më tej Morata.

Së fundi, Morata u pyet për numrin e tij të skuadrës për sezonin e ardhshëm, por sulmuesi ishte ende i pasigurt nëse do të merrte numrin 9.

“Nuk e di, duhet të flas dhe të shohim”, përfundoi ai.

Morata shënoi 21 gola në 48 paraqitje me Atletico Madridin gjatë sezonit 2023/24. Ai ka 35 gola në 130 ndeshje në Serie A me Juventusin.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024