Ushtria Çlirimtare e Kosovës më 31 mars 1999 vendosi për një mobilizim të përgjithshëm për përballimin e ofensivës serbe dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës.
Ne po ua sjellim urdhrin e asaj kohe për mobilizim:
Urdhëroj:
Mobilizimi i përgjithshëm në Kosovë e jashtë saj për të gjithë popullin e Kosovës për kompletimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të fillojë më datën 01.04.1999 dhe të vazhdojë në proces.
Të gjithë kuadrot ushtarake të lajmërohen për të marrë detyrat në strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga data 01 deri më 25 prill 1999. Çdo kuadër i inkuadruar i ri, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të marrë urdhrin përkatës të emërimit në detyrën funksional nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantët e njësiteve ushtarake, të marrin në dorë evidentimin e të gjithë të detyruarve për t’u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të mbahen evidenca të sakta e të plota.
Për zbatimin e këtij urdhri kur nuk arrihet të gjejë zbatim detyrimi ligjor, Policia Ushtarake të veprojë brenda e jashtë Kosovës, për të detyruar paraqitjen e të gjithë atyre moshave që detyron vendimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ngarkohen me zbatimin e këtij urdhri Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantët e zonave të drejtimeve të njësive dhe Policia Ushtarake.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.