Propozimi i presidentes Vjosa Osmani që draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë të përgatitet bashkë me ShBA-në, po mirëpritet nga njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tyre, me amerikanët duhet të vendoset që Asociacioni mos të ketë kompetenca ekzekutive që e paralizon funksionimin e Kosovës.
Ata thonë se pavarësisht zhvillimeve të fundit dhe sulmit terrorist në veri, dialogu nuk ka alternativë.
Profesori universitar, Arben Fetoshi thotë për KosovaPress, se kryeministri Albin Kurti duhet të ketë komunikim intensiv me përfaqësuesit e lartë të ShBA-së, për Asociacionin, mbi bazën edhe të deklaratave të tyre se i njëjti s’do të jetë një nivel tjetër i pushtetit në Kosovë.
Konstruktivitet në këtë temë pret edhe analisti politik, Artan Muhaxhiri, i cili thotë për KosovaPress, se Kosova duhet të ofrojë pozicionin e saj në raport me atë si e sheh Asociacionin brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.
Pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se zgjidhja për Asociacionin është që Kosova të ulet me ShBA-në dhe ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të Kosovës.
Më 24 shtator një grup i armatosur rëndë terrorist ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.