Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për paga dhe Projektligjin për zyrtarët publik. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi ktheu pagat në sistemin e drejtësisë si para rritjes në vitin 2017 nga ish-Qeveria Haradinaj.
Duke arsyetuar dy projektligjet, kryeministri Kurti tha se kanë qenë të kujdesshëm tek baza ligjore për hartimin e tyre.
Ai tha se në kuadër të Projektligjit për paga, raporti ndërmjet pagës më të ulët dhe pagës më të lartë është 1 me 4.77.
“Projektligji i pagave adreson këtë problematik dhe sjell dallimin mes pagës më të lartë dhe pagës më të ulët në vetëm 4.7 herë. Pra raporti ndërmjet pagës më të ulët dhe pagës më të lartë është 1 me 4.77, pra më pak se 5 herë. Prej 20 herë që është dallimi e kemi sjell më pak se 5 herë. Sa për ilustrim, në bazë të projektligjit tonë, dallimi në mes të koeficientit më të lartë që është presidenti, komandanti suprem dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 3.21 herë. Ndërsa, dallimi i koeficientit të presidentit dhe mjekut specializant është vetëm 1.5 herë”, tha Kurti.
“Vendimi i marrë paligjshëm dhe në konflikt të interesit të qeverisë së kaluar në vitin 2017, për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar është shfuqizuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës në vitin 2020. Ky vendim ka paraparë përjashtimin nga kthimi i pagave në gjendjen e mëparshme për sistemin gjyqësor dhe gjykatën Kushtetuese. Marrë parasysh se ishte në procedurë trajtimi nga Gjykata Kushtuese ligji për pagat. Kushti i paraparë për përjashtim është plotësuar me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me ligjin e atëhershëm për pagat. Rrjedhimisht, për të sjellë ligjshmëri plotësojmë-ndryshojmë vendimin duke shfuqizuar çështjet relevante. Me këtë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, para vitit 2017”, tha ai.
Vendimin e sotëm e arsyetoi edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Bardhyl Dobra.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, u ndan edhe mbi 200 mijë euro për delegatët e dikurshëm të Kuvendit të Kosovës të cilët më 2 korrik 1990 miratuan Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.