Miratimi i deklaratës për gjenocidin në Srebrenicë, Kurti: Kosova nuk harron dhe as nuk falë krimet
Lexohet për: 3 min.
Albin Kurti
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar sot një deklaratë për gjenocidin serbë në Srebrenicë të ndodhur në vitin 1995.

Për miratimin e kësaj deklarate ka shkruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

I pari i ekzekutivit, Albin Kurti ka thënë se me anë të kësaj deklarate Kosova solidarizohet me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të këtij gjenocidi si dhe me kujtimin e Srebrenicës si kujtesë për të parandaluar tragjedi të këtij lloji në të ardhmen.

“Përmes kësaj deklarate, shteti ynë nëpërmjet Kuvendit të Kosovës, duke riafirmuar kundërshtimin e Republikës së Kosovës ndaj mosndëshkimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës ose shkeljeve të tjera të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si dhe për të kërkuar paqen e qëndrueshme, drejtësinë, të vërtetën dhe pajtimin, e vlerëson lartë miratimin e Rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe të Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”, ka shkruar kryeministri Albin Kurti.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, Republika e Kosovës e respekton Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë

“Gjithashtu, me anë të kësaj deklarate, Republika e Kosovës solidarizohet me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të këtij gjenocidi si dhe me kujtimin e Srebrenicës si kujtesë për të parandaluar tragjedi të këtij lloji në të ardhmen. Për këto arsye dhe të tjera që rrjedhin prej tyre, Republika e Kosovës e respekton Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, për çka angazhohet për organizimin e aktiviteteve të ndryshme përkujtuese dhe në nderim të viktimave”, ka shkruar ndër të tjera Albin Kurti.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova as nuk harron dhe as nuk falë krimet e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera nga shteti i Serbisë mbi popullin e Kosovës në të gjitha etapat dhe veçanërisht gjatë viteve 1998-’99.

“Duke qenë edhe vetë viktimë e të njëjtave kategori të krimeve sipas të drejtës ndërkombëtare, populli i Kosovës e ka gjithë empatinë dhe solidaritetin me viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe me popullin e Bosnjë e Hercegovinës. Shoqëria dhe shteti i Kosovës as nuk harron dhe as nuk falë krimet e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera nga shteti i Serbisë mbi popullin e Kosovës në të gjitha etapat dhe veçanërisht gjatë viteve 1998-’99. Në përkujtim të viktimave të gjenocidit, për drejtësi, për të vërtetën dhe për historinë”, ka shtuar ai.

https://kosovapress.com/kuvendi-miraton-deklarate-per-gjenocidin-ne-srebrenice
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025