Numri i nxënësve me aftësi të kufizuara që ndjekin mësimin në shkolla të rregullta është 3903. Ndërkaq, 313 fëmijë të tjerë shkojnë në qendra burimore apo shkolla speciale. Këto janë të dhënat që posedon Ministria e Arsimit, bazuar në raportin “Statistikat e arsimit në Kosovë 2022-2023. Kjo ministri zotohet se ka ndërmarrë disa veprime për përfshirjen e këtyre fëmijëve në arsim.
Nuk ka të dhëna të sakta të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, e as sa prej tyre janë fëmijë. Të dhëna të tilla, shteti nuk ka as për fëmijët që janë jashtë bankave shkollore.
Përkundër vështirësive e sfidave për shkollim, MAShTI zotohet se kanë ndërmarrë veprime për përmirëismin e kësaj gjendje.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka ndërmarrë disa veprime për përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta si: Ka ndarë buxhetin tek komunat për punësimin e 500 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta. Janë certifikuar 409 Asistentë me Programin e Pearson”, theksohet në këtë përgjigje.
“Kemi pajisur shkollat me mjete didaktike dhe mjeteve të tjera të nevojshme. Kemi themeluar dhoma burimore për mbështetjen profesionale për nxënës dhe mësimdhënës. Vitin e kaluar janë ndërtuar 15 pjerrina në shkolla, kurse këtë vit do të ndërtohen 18 tjera”, përgjigjet Ministria e Arsimit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se vendet në zhvillim, siç është Kosova, kanë 7 deri në 10 për qind persona me aftësi të kufizuar nga numri i përgjithshëm i popullatës.